Thaçi takon ambasadorët e Quintit, koordinohet për dialogun Kosovë-Serbi
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur të martën në takim ambasadorët e vendeve të Quintit, ambasadorin e ShBA-së Greg Delawie, ambasadorin britanik Ruairi O’Connell, ambasadorin e Francës Dider Chabert, ambasadorin e Italisë Piero Cristoforo Sardi, zëvendësambasadorin e Gjermanisë Jan-Axel Voss, dhe shefen e Zyrës së BE-së, Natalyia Apostolova.
Presidenti Thaçi i ka njoftuar ambasadorët se e ka pranuar ftesën e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, për takimin e ri në Bruksel, të dielën më 24 qershor.
Sipas njoftimi të Presidencës, përfaqësuesit e shteteve të Quintit kanë rikonfirmuar përkrahjen e tyre për fillimin e fazës përfundimtare të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve.
“Kosova është e gatshme për dialog dhe për normalizim të marrëdhënieve”, është shprehur presidenti Thaçi, duke theksuar nevojën e një përfshirjeje sa më të gjerë të partive politike, shoqërisë civile dhe medieve.
/Epoka e re/