Thaçi takon anëtarët e Lidhjes së Miqësisë, fton për thellim të bashkëpunimit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të vizitës shtetërore në Japoni, ka takuar anëtarët e Lidhjes së Miqësisë në Kuvendin e Japonisë.
Në këtë takim, presidenti Thaçi ka theksuar se Lidhja e Miqësisë është rritur dhe përtërirë me deputetë të rinj dhe i ftoi ata që të vizitojnë Kosovën.
Sipas tij, hapja e Ambasadës së Japonisë që do të bëhet së shpejti në Prishtinë, është një dëshmi tjetër e bashkëpunimit dhe thellimit të miqësisë ndërmjet dy shteteve.
“Raportet me Japoninë janë duke shënuar përmirësim të hovshëm për çfarë më duhet të falënderoj kryeministrin Abe, Ministrin e Punëve të Jashtme dhe juve miq të nderuar”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi ka folur edhe për aspiratat e Kosovës për anëtarësim sa më të shpejt në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
“Në Kosovë ka konsensus të plotë që anëtarësimi në NATO dhe BE nuk ka alternativë, duke iu bashkuar vlerave perëndimore”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, Ryu Shionoya, kryetar u grupit të miqësisë me Kosovën, ka theksuar se të gjithë deputetet, anëtarë të këtij grupi do të angazhohen për të rritur bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy shteteve.
Në darkë ishin edhe ministri i Lojërave Olimpike tani në detyrë të re në partinë LDP, deputeti Eto i rizgjedhur 13 herë, zëvendësministrja e punëve të jashtme znj. Abe e cila ka vizituar Kosovën në shkurt, këshilltari i kryeministrit Abe për siguri z. Sonoura dhe deputeti Nakajama nga Osaka deri vonë kryetar i komisionit për politikë të jashtme.
Në këtë takim ishte edhe deputeti, Kenji Wakamyia, kryesues i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Japonisë, ndonëse nuk është anëtar i Lidhjes, shprehu kënaqësi për angazhimin për thellim të bashkëpunimit, veçanërisht në ekonomi.
Presidenti Thaçi, nesër do të vazhdojë agjendën e tij me takime të ndryshme me përfaqësues të shtetit të Japonisë.
/Epoka e re/