Thaçi takon Bushin, dekoron me Urdhrin e Pavarësisë (Foto)
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar të premten ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), George Bush, me të cilin ka biseduar për të gjitha zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.
Thaçi nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook”, ka bërë me dije se gjatë këtij takimi e ka dekoruar Bushin me Urdhrin e Pavarësisë.
Postimi i plotë i Thaçit:
Në Dallas takova mikun e madh të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, presidentin George Bush. Në këtë takim të ngrohtë e miqësor diskutuam për të gjitha zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon. Respekti për familjen e mrekullueshme Bush do të jetë i përjetshëm për shqiptarët e Kosovës.
Bashkë evokuam shumë kujtime nga e kaluara jo e largët, mirëpo fokusi ynë ishte tek përpjekjet e tashme të shtetit tonë për të siguruar një të ardhme të sigurt dhe në paqe.
Në kontekst të këtyre përpjekjeve, u pajtuam se është e domosdoshme arritja e marrëveshjes përfundimtare obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të shënonte mbylljen e konfliktit njëshekullor, njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE.
Sigurisht se arritja e kësaj marrëveshjeje nuk është aspak e lehtë. Por, presidenti Bush më dha një këshillë të çmuar, të cilën dua ta ndaj me ju.
“Ju si liderë nuk do të mbaheni në mend për vendimet populiste, por për vendimet e vështira dhe të drejta që merrni për vendin dhe popullin tuaj”.
Duke i shprehur mirënjohjen më të lartë në emër të qytetarëve të Kosovës, sot kisha privilegjin që presidentin Bush ta dekoroj me Urdhrin e Pavarësisë, për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
/Epoka e re/