Thaçi takon drejtuesit e drejtësisë dhe sigurisë, flasin për ligjin dhe vizat
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur të premten në takim krerët e institucioneve kryesore të drejtësisë dhe sigurisë, me të cilët ka diskutuar për mekanizmin përcjellës që vlerëson të arriturat në fushën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar si kusht për liberalizimin e vizave.
“Në këtë takim u evidentuan të arriturat konkrete dhe u vërtetua edhe një herë se Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Qytetarët e Kosovës me të drejtë presin që Bashkimi Evropian të marrë vendimin e duhur, që ata të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen. Përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse, si përcjellëse direkte të të arriturave të fundit, rikonfirmuan përmbushjen e kritereve të nevojshme në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, duke fuqizuar kështu edhe më shumë perspektivën evropiane të Kosovës”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/