Vitin e ardhshëm Japonia hap ambsadën në Prishtinë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur nga kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, në fillim të vizitës zyrtare në Japoni, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Perandorit Naruhito.
Thaçi dhe Abe në këtë takim kanë konfirmuar marrëdhëniet e mira bilaterale në mes dy vendeve.
Presidenti i Kosovës ndërkaq i ka shprehur ngushëllime kryeministrit Abe edhe për viktimat e tajfunit të fundit.
Ai është shprehur i kënaqur me avancimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.
“Hapja e Ambasadës së Japonisë në Prishtinë në fillim të vitit të ardhshëm dhe samiti i suksesshëm i bizneseve nga Kosova, Japonia e Austria në Vjenë, në fillim të këtij muaji, janë konfirmim i këtij avancimi”, ka thënë Thaçi.
Edhe kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, sipas komunikatës së Presidencës, ka shprehur kënaqeshin e tij për intensifikimin e bashkëpunimit dhe përkrahjen në mes dy vendeve.
“Hapja e ambasadës sonë në Prishtinë, samiti i suksesshëm i bizneseve dhe Java e Kulturës Japoneze që do të mbahet muajin e ardhshëm janë konfirmim i afrimit tonë”, u shpreh Abe.
Thaçi shtoi se Kosova e përkrah kryeministrin Abe në politikat rajonale dhe në mbylljen e çështjeve të hapura si kidnapimi i qytetareve japonezë nga Koreja Veriore.