Thaçi: Të hënën do t’i ftoj liderët e partive për formimin e qeverisë së re
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas rrëzimit të Qeverisë së Kosovës, ka deklaruar sot te Qendra e Studentëve në Prishtinë se do t’i ftojë për konsultime liderët e të gjitha partive politike për ta shikuar mundësinë e krijimit të qeverisë së re të vendit. Këtë veprim Thaçi tha se do ta marrë të hënën, duke shtuar do ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. “Nga e hëna, duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën, do t’i filloj konsultimet me partitë politike për mundësinë e formimit të qeverisë së re. Do të përpiqem që mos të lejoj që vendi të shkojë në zgjedhje dhe të shpërbëhet Kuvendi. Pra, nga e hëna në mëngjes do t’i ftoj liderët e partive për t’i themeluar institucionet dhe mos të ketë vakuum institucional. Natyrisht, fokusi im është të shkojmë drejt një qeverie të unitetit dhe të drejtë”, ka thënë ai.