Thaçi thirrje qeverisë që t’i mirëpresin kërkesat e SHBA-së
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka shfrytëzuar 288 vjetorin e lindjes së presidentit të parë amerikan, Xhorxh Uashington, për t’i ftuar qytetarët dhe institucionet që të jenë të hapur dhe t’i mirëpresin këshillat dhe kërkesat e SHBA-së.
Thaçi ka thënë se e ka dëshmuar historia, që rreshtimi ynë pranë popullit dhe shtetit amerikan i ka prodhuar rezultatet më të mëdha politike dhe historike për Kosovën.
“288 vjet më parë ka lindur George Washington, patrioti dhe drejtuesi i luftës për pavarësi, burrështetasi dhe presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Figurës së tij si një prej themeluesve të SHBA-së dhe si president unifikues më të drejtë i është dhënë epiteti i pashmangshëm si “i pari i luftës, i pari i paqes dhe i pari në zemrat e qytetarëve amerikanë”. Ky personalitet historik ka tejkaluar përmasat amerikane dhe është bërë një referencë fuqiplotë e popujve liridashës”, thotë Thaçi.
Ai ka thënë se shqiptarët janë mirënjohës për rrugëtimin historik drejt lirisë dhe pavarësisë nën mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Lidhjet tona me SHBA-në janë shumë më të thella dhe tejkalojnë raportin e thjeshtë politik e institucional mes dy vendeve. Ato janë lidhje shpirtërore e historike të një raporti besimi dhe vlerësimi reciprok, që unifikohet nën parimet e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të patjetërsueshme të qytetarëve. Siç ka dëshmuar historia, rreshtimi ynë pranë popullit dhe shtetit amerikan i ka prodhuar rezultatet më të mëdha politike dhe historike për Kosovën. E kemi obligim që këtë lidhje ta forcojmë edhe më shumë dhe të rrugëtojmë bashkërisht në projeksionet e reja që na presin.
I ftoj qytetarët dhe institucionet e Kosovës të jenë të hapura dhe t’i mirëpresin këshillat dhe kërkesat e SHBA-së, sepse kjo miqësi është fat dhe bekim i madh për ne”, ka shkruar presidenti Thaçi.