Thaçi thotë se bashkimi i Luginës me Kosovën do të jetë temë e dialogut në Bruksel
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një konference për medie sot ka thënë se koha e luftës ka përfunduar.
Ai ka përsëritur se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë shkëmbim të territorit dhe nuk do të ketë as autonomi, por vetëm korrigjim të kufirit që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkohen Kosovës, nëse siç ka thënë ai do të ketë pajtueshmëri të dyanshme – të Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi ka thënë se kërkesa e përfaqësueseve të Luginës së Preshevës që t’i bashkëngjiten Kosovës do të shtrohet si temë në Bruksel, raporton “Epoka e re”.
“Unë do ta prezantojë në Bruksel këtë kërkesë. Kjo do të jetë e vështirë pothuajse e pamundur. Nëse nuk do të arrijmë do të kthehemi në pozicionet kemi qenë”, ka thënë ai.
Thaçi ka thënë se korrigjimi i kufijve nënkupton bashkëngjitje të plotë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Republikën e Kosovës.
Presidenti ka thënë se ky duhet të jetë një proces i rregullt, transparent dhe llogaridhënës.
“Kjo nënkupton jo ndarje të Kosovës, jo autonomi, jo shkëmbim të territorit”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka bërë me dije se dialogu me Serbinë do të jetë proces jashtëzakonisht i vështirë, i rëndë por i domosdoshëm.
Ai ka thënë se vetëm duke arritur marrëveshje me Serbinë si fqinjë atëherë Kosova sigurohet se do të mund ta zë perspektivën euroatlantike.
“Unë kam bërë të qartë mundësitë për të arritur një marrëveshje me Serbinë janë jashtëzakonisht të vogla dhe minimale, por ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale që në fund të arrijmë një marrëveshje historike të udhëhequr nga BE-ja dhe me mbështetje nga ShBA. Dialogu ka një qëllim thelbësor, arritjen e marrëveshjes për normalizim, njohjen reciproke dhe pajtimin”, ka thënë presidenti Thaçi.
/Epoka e re/