Thaçi thotë se është momenti i fundit për ratifikimin e demarkacionit
Më 15 janar është thirrur mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme, ku do të shqyrtohet Projektligji për demarkacion me Malin e Zi.
Në këtë mbledhje pritet të votohet nëse ky projektligj do të shkojë ose jo për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Derisa Komisioni i ri shtetëror për përcaktimin e vijës kufitare i kryesuar nga Shpejtim Bulliqi,ka vlerësuar se me marrëveshjen e arritur mes dy vendeve Kosova ka humbur territor, presidenti Hashim Thaçi i cili ka theksuar se marrëveshja është e drejtë dhe se ajo duhet të ratifikohet.
“Kushti i Bashkimit Evropian (BE) për Kosovën ka qenë i padrejtë, por edhe mos ratifikimi i kësaj marrëveshje nga Kuvendi i Kosovës është i pajustifikueshëm. Prandaj, muaji janar është momenti i fundit që ne të gjejmë një konsensus dhe të ratifikojmë këtë marrëveshje. Vetëm atëherë i japim fund izolimit të padrejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi për “Indeksonline”.
Thaçi së fundi pati deklaruar se çështja e demarkacionit nuk duhet vonuar më dhe se i duhet dhënë zgjidhje sa më shpejtë që të jetë e mundur në mënyrë që të hapen rrugët e Kosovës drejtë Bashkimit Evropian.