Thaçi thotë se marrëveshja Kosovë-Serbi do të sjellë stabilitet në Ballkan

06 qershor 2019 | 12:51

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka mbajtur një konferencë për medie para nisjes për në Bratisllavë ku do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga “GlobSec”.

Ai ka bërë me dije se nuk do të ketë takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Në këtë forum asnjëherë nuk ka qenë e planifikuar të bëhet takim i veçantë i të dy presidentëve. Është planifikuar në agjendën e forumit një mundësi e debatit prej panelistëve. Çdo vullnet i mirë për të vazhduar dialogu i pakushtëzuar nga ana ime do mbështetet gjithmonë”, ka deklaruar Thaçi, duke shtuar se në këtë samit do të diskutohet për arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.

“Është mundësia e parë që në nivel të tillë të përfaqësohet Kosova në këtë forum  ku do të diskutohet për aktualitetin që e ka Kosova, të arriturat e shtetit tonë në prag të njëzetvjetorit të lirisë dhe hapjes së hapit për integrim në NATO dhe BE. Do të diskutohet për mundësinë e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, do të jetë debat jo i lehtë edhe me presidentin e Serbisë Vuçiq”, është shprehur Thaçi.

Ai ka thënë se marrëveshja Kosovë-Serbi do të nënkuptonte paqe dhe stabilitet në tërë Ballkanin Perëndimor.

Sipas Thaçit, taksa e vendosur ndaj produkteve serbe do të mbete në fuqi dhe ky proces nuk duhet të kushtëzohet me heqjen e vizave.

“Tarifa është një vendim i drejtë legjitim duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi. Nuk duhet ta shohë dikush si kriter kushtëzimi. Do ritheksoj qartë edhe një herë domosdoshmërinë e liberalizimit të vizave. Nuk kanë nevojë të kenë hezitime të mëtejme sepse Kosova ka realizuar të gjitha kriteret për të fituar liberalizimin e vizave”, ka thënë presidenti Thaçi.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka publikuar në llogarinë e…