Thaçi tregon hapat e parë të krijimit të Policisë së Kosovës para 20 viteve
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë sot pjesë në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Policisë.
“E kujtoj si sot kur para 20 vitesh filluam hapat e parë të Policisë së Kosovës. Janë 20 vite hapa të ngadalshëm por të progresit kuptimplotë të Policisë së Kosovës. Rrugëtimi i Policisë ka ecur bashkë me procesin e tranzicionit dhe shtetndërtimit”, ka thënë Thaçi.
Po ashtu, Thaçi ka thënë se kur kanë ndodhur hapat e parë të Policisë së Kosovës, ka pasur mëdyshje se njerëzit do t’i bashkoheshin uniformës.
“Fillimisht kur kanë ndodhur hapat e parë të Policisë së Kosovës ka pasur dilema të ndryshme, si të fillohej pasi që ishte vetëm 3 muaj pas çlirimit të Kosovës. Prandaj ishte e domosdoshme fillimi i ndërtimit të Policisë së Kosovës, sepse ishte dilemë sepse a do të t’i bashkoheshin asaj”, ka thënë Thaçi.
“Por ndodhi ajo që pritej të ndodhej, kishte konkurrrueshëmëri. Gradualisht filloi ndërtimi i një policie me standarde evropiane, e paanshme e profesionale. Sot e kemi Policinë me vlerësimin më të lartë për punën që e bënë”, ka shtuar ai.
Ai ka përmendur edhe policët e rënë në detyrë, Izet Demajn, Triumf Rizën e Enver Zymberin.
“Sot kur shënojmë 20 vjetorin e themelimit të Policis së Kosovës, kujtojmë policët e rënë në detyre, kujtojmë, Enverin, Izetin, Triumfin e shumë policë të rënë në detyre”, ka thënë Thaçi.