Thaçi: Trump e ndjen dhe e njeh problematikën e Kosovës

26 shtator 2018 | 20:55

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se ka zhvilluar në Nju-Jork një bisedë me homologun e tij amerikan, Donald Trump.

Përveç me Trumpin, me të cilin ka realizuar edhe një fotografi, Thaçi ka thënë se ka biseduar edhe me zyrtarë të administratës së tij, përfshirë sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo; ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell; dhe ambasadoren e SHBA’së në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley

.Sipas Thaçit, i cili ndodhet në SHBA, me rastin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Trump i ka thënë se “Kosova është vend i mrekullueshëm, me një popull të mrekullueshëm, që meriton të lëvizë më shpejt përpara”.

“Trump e ndjen dhe e njeh problematikën e Kosovës. Trump dhe zyrtarët e administratës së tij kanë shprehur një mbështetje të fuqishme për Kosovën. Administrata e presidentit Trump mbështet fuqishëm Kosovën, rrugëtimin më të shpejt në NATO dhe BE. E çmon shumë miqësinë e përjetshme të qytetarëve të Kosovës me SHBA-në. Në të njëjtën kohë vlerëson lartë punën që po bëhet edhe në situata jo të lehta, kritike ”, ka theksuar Thaçi në një intervistë për “Radio Televizionin e Kosovës”.

 

Zyrtarët e administratës Trump kanë vlerësuar, sipas Thaçit, se Kosova është në drejtimin e duhur dhe po merr përgjegjësitë e veta.

“Administrata Trump “mbështet dialogun Kosovën-Serbi, arritjen e një marrëveshjeje historike, që nënkupton njohjen reciproke Kosovë-Serbi. HBA konfirmuan qartë se e mbështesin edhe angazhimin që kemi deklaruar, në rast të arritjes së marrëveshjes mes të Kosovës dhe Serbisë, ku mund të përfshihet demarkimi i kufirit dhe korrigjimi i lehtë i kufirit, që do të mbyllte urrejtjen ndër shekullore mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Adri Nurellari E lexova me një frymë replikën tjetër të…