Thaçi u informua nga drejtori i IKShPK-së për zhvillimet më të reja rreth COVID-19
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK), Naser Ramadanin, i cili e ka informuar presidentin për gjendjen e përgjithshme dhe zhvillimet më të reja në luftimin e pandemisë së virusit COVID-19.
Presidenti Thaçi ka shprehur mirënjohjen më të thellë për drejtorin Ramadani dhe stafin e tij për përpjekjet që po bëjnë.
“Shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë për ju, për stafin tuaj, për punën që po bëni”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi ka shprehur përkrahjen e tij për punën e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe ftoi qytetarët që t’i përcjellin me përpikëri rekomandimet e institutit.
Ndërsa drejtori Naser Ramadani, e ka njoftuar presidentin Thaçi për të gjithë hapat që ka ndërmarrë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për identifikimin e të gjitha rasteve të personave të infektuar me COVID-19 dhe për trajtimin e atyre që tanimë janë konfirmuar pozitivë për COVID-19.
“Do ta kalojmë shumë më lehtë këtë situatë nëse qytetarët janë bashkëpunues dhe u përmbahen rekomandimeve për higjienë personale dhe distancë sociale”, ka thënë Ramadani.