Thaçi udhëtoi për në Armeni, merr pjesë në Samitin e 17-të të Frankofonisë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për në Jerevan të Armenisë, ku do të marrë pjesë në Samitin e 17-të të Frankofonisë, që mbahet më 11 dhe 12 tetor 2018.
Thaçi në këtë samit do të shoqërohet nga zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme.
Ndër temat më me rëndësi për Kosovën, që do të diskutohen në këtë samit, do të jetë edhe avancimi i statusit të Republikës së Kosovës në këtë organizatë, nga vëzhgues në anëtar të asociuar.
Gjatë qëndrimit në Jerevan të Armenisë, presidenti Thaçi do të takohet edhe me liderë të vendeve frankofone, që do të jenë pjesëmarrës në këtë samit.
Në këto takime, presidenti Thaçi do të kërkojë përkrahje edhe për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Interpol.
Samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive është instanca më e lartë e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, ku Republika e Kosovës është anëtare vëzhguese që nga viti 2014.
Kjo organizatë bashkon 84 shtete dhe qeveri anëtare, që kanë të përbashkët gjuhën frënge dhe vlerat që i ndajnë vendet e Frankofonisë.