Thaçi: Uroj të mos e jetojë atë kohë kur dikush në Kosovë del kundër SHBA-ve

24 dhjetor 2018 | 23:25

Ditë më parë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dërguar dy letra, të ngjashme, dy presidentëve – atij të Kosovës, Hashim Thaçit dhe homologut të tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq.

Në të dyja letrat, mes dallimeve, theksohet se duhet të shfrytëzohet momenti historik për arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se letrat e presidentit amerikan janë një mesazh i qartë.

“Unë përsëri falënderoj SHBA-të, si president i vendit, në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës, në këtë fundvit, për mbështetjen e vazhdueshme që na e kanë dhënë dhe po na qëndrojnë afër – një mbështetje e gjithanshme”.

“Jemi të bekuar, si shoqëri dhe vend, që e kemi këtë miqësi dhe përkrahje unike. Presidenti i SHBA-ve [Donald Trump] ka theksuar shumë qartë, për Kosovën, ju ftoj që të mos e humbni këtë momentum, pra gjërat kanë filluar të lëvizin në rrafshin global ndërkombëtar për domosdoshmërinë e zgjidhjes përfundimtare për çështjen e Kosovës në raport me Serbinë”.

“Ky momentum është i jashtëzakonshëm kur e kemi këtë interesim të drejtpërdrejtë të njeriut numër një të SHBA-ve, njeriut më të fuqishëm në botë”.

“Ftesa që të punohet në mënyrë aktive dhe të mos nxirren pengesa në proces gjithashtu është mesazh i qartë për skenën politike dhe institucionet e Kosovës që të punojnë me agjendën për të ardhmen, për të lehtësuar angazhimet për arritjen e marrëveshjes finale në përfshirje sa më të gjerë politike dhe të shoqërisë civile”.

“Prandaj, gjithashtu presidenti Donald Trump thekson edhe nevojën e angazhimit më dinamik që të mos ketë rikthim në tragjiken e së kaluarës”.

“Ai [Donald Trump] potencon qartë që është i gatshëm që angazhimin e dy vendeve për arritjen e marrëveshjes finale, që nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia, ndryshimin e Rezolutës 1244 dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB ta urojë dhe përgëzojë në Shtëpinë e Bardhë”.

I pari i vendit, si i ftuar në Zona B të Klan Kosovës, ka thënë se letra e presidentit amerikan, Donald Trump, është një nga katër momentet historike që kanë ndodhur në tri dekadat e fundit, në marrëdhënien e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mendoj që kanë qenë katër momentet historike, në tri dekadat e fundit, për popullin e Kosovës, që kanë ardhur nga presidentët e SHBA-ve”.

“Momenti i parë ka qenë kur në festën e Krishtlindjeve, në vitin 1992, presidenti tashmë i ndjerë, George H. W. Bush, dërgoi mesazh të qartë te Sllobodan Millosheviqi që nuk do ta lejojë që në Kosovë të përsëritet ajo që ndodhi në Bosnje dhe Hercegovinë”.

“Mesazhi i dytë i qartë historik ka qenë vendimi i presidentit amerikan, Bill Clinton për fillimin e bombardimeve kundër caqeve serbe në Kosovë”.

“Mesazhi i tretë historik gjithashtu ka qenë deklarata e George W. Bush ‘mjaft është mjaft’ dhe pas gjashtë muajsh, Kosova u bë e pavarur dhe sovrane”.

“Tash kemi letrën e drejtpërdrejtë të presidentit Donald Trump drejtuar lidershipit, presidentit të Kosovës dhe popullit të Kosovës për vëmendjen që duhet të kenë në procesin e marrëveshjes finale Kosovë – Serbi”.

“Prandaj jam më se i bindur që lidershipi dhe populli i Kosovës ashtu si i ka kuptuar shumë mirë mesazhet e George H. W. Bush, vendimin e Bill Clinton për bombardimet edhe mesazhin e George W. Bush, do ta respektojë edhe opinionin dhe mesazhin e presidentit Donald Trump që të punohet për arritjen e marrëveshjes finale”.

“Vazhdoj me qenë i bindur se nuk do të ketë në Kosovë lider ose opinion që do të dalë kundër qëndrimit të SHBA-ve. Marrëveshjen duhet ta arrijmë por uroj që të mos e jetojë atë kohë kur dikush në Kosovë del kundër SHBA-ve”.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka konfirmuar aksidentin për të cilin KALLXO.com…