Thaçi uron Pashkët: Festoni në shtëpi me të dashurit tuaj
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka uruar Pashkët katolike.
Ai u ka bërë thirrje besimtarëve katolikë që të festojnë në shtëpi me të dashurit e tyre.
“Në përputhje me udhëzimet mbarëbotërore, që tashmë po zbatohen, ju lutem të festoni në shtëpi me më të dashurit tuaj”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Urimi i plotë i Thaçit:
Gëzuar Pashkët katolike, një ndër festat më të mëdha për të gjithë besimtarët e krishterë. Kjo festë është mishërim i besimit në rilindjen e vlerave që e çuan njerëzimin përpara, si në aspektin e emancipimit fetar, ashtu edhe në atë human dhe kulturor. Në përputhje me udhëzimet mbarëbotërore, që tashmë po zbatohen, ju lutem të festoni në shtëpi me më të dashurit tuaj.
Duke pasur konsideratë për njëri-tjetrin kontribuoni në mbrojtjen e vetvetes dhe të tjerëve. Ky solidarizim është mënyra më e mirë e kundërvënies ndaj kësaj të keqeje globale. Duke e mirëkuptuar dhe mbështetur njëri-tjetrin, do ta tejkalojmë edhe këtë sfidë.
Uroj që të kalojnë sa më shpejt këto ditë të vështira për gjithë qytetarët tanë! HTH