Thaçi uron popullin gjerman për Ditën e Bashkimit të Gjermanisë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar popullin gjerman me rastin e Ditës së bashkimit të Gjermanisë.
Thaçi ka thënë se rënia e Murit të Berlinit dhe bashkimi i Gjermanisë ka frymëzuar të gjitha lëvizjet demokratike në Evropë, duke përfshirë edhe Kosovën.
“Urimet më të përzemërta popullit gjerman për Ditën e Unitetit Gjerman. Tre tetori i vitit 1990 është ditë historike për Gjermaninë, por edhe për tërë demokracitë e botës. Ajo ditë shënon të arritur konkrete të procesit të filluar me shembjen e Murit të Berlinit, e që më vonë do të rritej në një frymë të përgjithshme të ndryshimeve politike në tërë Evropën, duke vënë vlerat dhe parimet e lirisë e demokracisë mbi parimet tjera. Kjo ditë ka frymëzuar të gjitha lëvizjet demokratike në Evropë e më gjerë, përfshirë edhe Kosovën, për t’u angazhuar për të drejtat dhe liritë qytetare të çdo populli. Duke kujtuar këtë ditë, shprehim mirënjohjen dhe respektin për të gjithë ato gra e ata burra që u angazhuar për të mbajtur gjallë frymën e lirisë e barazisë”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/