Thaçi: Ushtria e Kosovës do t’i kontribuojë paqes
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi, Predrag Boskoviq.
Presidenti Thaçi dhe ministri Boskoviq kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale dhe për mënyrat sesi ato mund të zgjerohen përmes një bashkëpunimi edhe më të mirë në fushën e sigurisë.
Presidenti Thaçi e ka njoftuar ministrin malazez për tri projektligjet e votuara në Kuvendin e Kosovës, të cilat e transformojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës.
“Forca e Sigurisë së Kosovës përmes një procesi gradual do t’i ketë kapacitetet e plota në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe si e tillë do jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe do t’i kontribuojë paqes”, ka thënë presidenti Thaçi.
I pari i vendit e ka falënderuar ministrin Boskoviq për prezencën e ushtarëve malazezë në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë, që sipas tij “Mali i zi po i kontribuon paqes dhe stabilitetit”.
Po ashtu, në këtë takim është diskutuar edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Thaçi ka thënë se Mali i Zi është shembull i mirë për Kosovën dhe rajonin në rrugën euroatlantike.
Presidenti Thaçi ka shtuar se Mali i Zi në këto dy dekada ka marrë vendime të rëndësishme për sigurimin e paqes në rajon.
Ndërsa, ministri Boskoviq e ka siguruar presidentin Thaçi për mbështetje të gjithanshme të Malit të Zi, sidomos në procesin e integrimeve euroatlantike.