Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi, Ngucati, Haradinaj e të tjerët po mbahen padrejtësisht në Hagë
Më rastin e shënimit të 22-vjetorit, Ditës së Çlirimit të Komunës së Drenasit, është mbajtur seanca solemne e Kuvendit të Komunës, ku janë nderuar të gjithë dëshmorët.
Në seancën solemne kanë marrë pjesë, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, nënkryetari Arben Shala, kryesuesi i Kuvendit, Labinot Halilaj, anëtar të Kuvendit dhe drejtor të drejtorive komunale.
Seanca është udhëhequr nga kryesuesi Labinot Halilaj, i cili tha se 14 qershori mbetet datë krenarie që na kujton shpresën për jetë të lirë të kërkuar me shekuj nga atdhetar të vendit.
“Sot është dita më e rëndësishme historike e qytetit tonë, pra është dita e çlirimit të Drenasit, dita e dëbimit të ushtarit të fundit serb nga qyteti ynë i datës së 14 qershorit të vitit 1999. Shënimi i kësaj date në mënyrë institucionale dhe shtetërore e madhështon luftën dhe sakrificat e popullit për çlirim, lirisë së vendit i jep kuptimin e plotë, ndërsa popullit i shton dashurinë ndaj atdheut. Rruga deri të kjo datë, ishte shumë e gjatë, e mbushur me plotë dhimbje, vuajtje e sakrifica për popullin tonë, po aq e gjatë e më dhimbje sa edhe sot kur ne festojmë këtë datë madhështore, çlirimtaret tanë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hysni Ngucati, Nasim Haradinaj e të tjerë, mbahen padrejtësisht në Hagë të akuzuar gjoja për krime lufte”, ka thënë kryesuesi Haliaj.
Ndërsa, kryetari Ramiz Lladrovci, në fjalimin e ti në këtë seancë ka thënë se Dita e Çlirimit, është data kur me nderim të thellë, kujtojmë gjithë sakrificën e qytetarëve të Drenasit, heronj, dëshmorë dhe martirë të lirisë.