Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi nesër dalin para Gjykatës Speciale
Mal Qorraj /Epoka e re
Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi nesër (e premte) do të dalin para Gjykatës Speciale në Hagë, të cilët janë duke u mbajtur në paraburgim pas konfirmimit të aktakuzës.
Konferenca për ecurinë e çështjes ndaj ish-liderëve të UÇK-së pritet të nis në orën 14:30, raporton “Epoka e re”.
Më 5 nëntor të 2020-s Dhomat e Specializuara kishin konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe ishin ftuar të paraqiten në gjykatë. Thaçi, Veseli dhe Selimi, pas marrjes së ftesës, vullnetarisht kishin udhëtuar për në Hagë. Në paraqitjen e tyre të parë para trupit gjykues, ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Deri më tani janë mbajtur disa konferenca statutore me qëllim të organizimit të shkëmbimeve ndërmjet palëve. Fillimisht në këto seanca ish-komandantëve të UÇK-së u është lexuar aktakuza, ku ata kanë hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë. Konferencat statutore janë karakterizuar me përplasje të avokatëve me përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar. Pala mbrojtëse e ka akuzuar vazhdimisht prokurorinë për zvarritje të qëllimshme të procesit dhe mosdorëzim të dosjes paraprake. Kur ka kaluar më shumë se një vit, prokuroria ka dorëzuar dosjen paraprake në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë duke u akuzuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.
Gjatë konferencave statutore janë zhvilluar debate-akuza të ashpra në mes të avokatëve mbrojtës të ish-drejtuesve të UÇK-së dhe prokurorëve të Gjykatës Speciale.
Akuzat më të ashpra të avokatëve ndaj kësaj gjykate janë thënë në seancën për ecurinë e çështjes, e cila është mbajtur më 29 tetor të vitit 2021. Në këtë seancë avokatët e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë thënë se themelet e Gjykatës Speciale janë mbështetur mbi gënjeshtra.
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka shpërthyer në akuza ndaj prokurorisë, duke theksuar se Specialja u ndërtua mbi themelet e një raporti (te Dick Martyt) që është krejtësisht gënjeshtër.
Akuzat ndaj Prokurorisë së Specializuar të Hagës i ka vazhduar edhe avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe. Ai ka thënë se prokuroria po bën veprime që shkojnë në dëm të krerëve të UÇK-së.
Kujtojmë se avokati i Thaçit, ai i Veselit, i Selimit dhe i Krasniqit disa herë gjatë vitit 2021 kanë kërkuar Gjykata Speciale që klientët e tyre të mbrohen në liri, por një gjë e tillë është refuzuar në vazhdimësi. Në këtë drejtim avokatët kanë ofruar edhe garanci për klientët e tyre, por një gjë e tillë është refuzuar. Madje Gjykata Speciale nuk i ka marrë parasysh as garancitë që ka ofruar edhe Policia e Kosovës.
Gjatë muajit shtator të vitit 2021 një delegacion i Ministrisë së Drejtësisë ka vizituar të paraburgosurit në Hagë. Këtë delegacion kishin refuzuar ta takonin Thaçi dhe Veseli. Krahas këtyre vizitave, gjatë vitit të kaluar janë lejuar edhe vizitat familjare dhe të miqve të ish-liderëve të UÇK-së.