Thaçi: Veteranët, shembull i sakrifikimit për ideale dhe për lirinë tonë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot në Ditën e Veteranit theksoi se veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët dhe heronjtë e saj janë shembull i sakrifikimit për ideale dhe për lirinë e popullit tonë.
Thaçi në një postim në rrjetin social “Facebook” ua uron Ditën e Veteranit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në këtë 30 dhjetor, si në çdo fundvit tjetër, i nderojmë ata që bënë të mundur ta gëzojmë lirinë dhe pavarësinë tonë, veteranët e luftës sonë çlirimtare. Kjo ditë sjell në kujtesën tonë edhe betejën e parë të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, aty ku nisi rruga e lirisë. Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët dhe heronjtë e saj, janë shembull i sakrifikimit për ideale dhe për lirinë e popullit tonë. Urime Dita e Veteranit, të gjithë veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!”, ka shkruar Thaçi.