Thaçi viziton familjen e Rugovës, bën thirrje për unitet të brendshëm
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar të premten familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova, të cilës ia ka uruar formimin e ushtrisë dhe festat e fundvitit.
Ai ka thënë se trashëgimia e Rugovës duhet të jetë udhërrëfyes për fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.
“Sot vizitova familjen e presidentit historik Ibrahim Rugova, të cilën e urova për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe për festat e fundvitit. Trashëgimia shtetformuese e presidentit Rugova dhe vlerat që ka përfaqësuar ai do të jenë udhërrëfyes edhe në fazën përfundimtare të konsolidimit të shtetit tonë.
“Mesazhet e përhershme për dialog, bashkëpunim e unitet të brendshëm duhet të jenë parimet bazë të veprimit të gjithë spektrit politik, bashkë me partneritetin dhe besimin tek ShBA-ja dhe partnerët evropianë. Besoj që këto vlera e parime do të respektohen nga të gjithë edhe në këtë fazë përfundimtare të dialogut Kosovë – Serbi, që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/