Thaçi: Vokrri edhe në momentet më të vështira, i mbeti besnik Kosovës
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë pavarësisht momenteve të renda në të cilat kalonte Kosova, Fadil Vokrri i ka mbetur besnik vendit të vet.
“Kam takuar shumë personalitete që bartnin epitetin e legjendës në fushën ku kishin kontribuar, në Kosovë dhe jashtë saj. Por, edhe ndër këta dallohej Fadil Vokrri. E njoha para tri dekadash, nga tribunat e fushave të futbollit ku impresionoheshim me mjeshtëritë e tij me topin, në vitet e tij të arta si futbollist. Çdo familje shqiptare jetonte me emrin e tij. Fëmijët jetonin me ëndrrën që të bëheshin ‘Fadila’”.
“Bota vraponte ta merrte për ekipet e veta, jashtë Prishtinës. Por, edhe në momentet më të rënda, më të vështira, i mbeti besnik Kosovës. Golat e tij ishin gëzimi ynë sportiv dhe krenaria jonë kombëtare. Daljet e tij të rralla huq në fushë ishin dëshpërim për të gjithë ne. Fadili vazhdoi të shënonte për Kosovën edhe jashtë fushës. Shënimet e tij kryesore ishin anëtarësimi i Kosovës në FIFA dhe UEFA. Do t’i jemi përherë mirënjohës për çdo gjë që ka bërë për Kosovën”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/