Thaçi: Vonesat e BE-së, thirrje për trazira të reja në Ballkan
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Bashkimi Evropian “po vonon dhe po gabon” me Ballkanin Perëndimor.
“Kjo vonesë është thirrje për trazira të reja në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Thaçi, i cili ka marrë pjesë në një konferencë kushtuar këtij rajoni, të organizuar nga instituti “Friends of Europe”, me seli në Bruksel.
Sipas Thaçit, hezitimi i BE-së për zgjerimin krijon vakuum në rajon, i cili do të shfrytëzohet nga elemente të tjera.
“Derisa Bashkimi Evropian vonon ndaj Ballkanit Perëndimor, ideologjitë joperëndimore kanë mundësinë të shpërthejnë në aspektin e sigurisë, politik dhe ekonomik”, ka thënë Thaçi.
Situatën aktuale të marrëdhënieve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Thaçi e ka vlerësuarsi “sfiduese, të komplikuar dhe të rrezikshme”.
Ai ka shfaqur shpresën se viti i ardhshëm do të jetë vit i stabilizimit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Që kjo të arrihet, Thaçi ka thënë se duhet të ndodhin tri gjëra: liberalizimi i vizave për Kosovën, hapja e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i normalizojë marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve.