![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2024/12/Hashim-thaci.jpg)
Thaçit iu refuzua vizita te babai në gjendje të rëndë shëndetësore, Specialja publikon vendimin: Nuk pati arsye të forta
Gjykata Speciale ka publikuar vendimin me të cilin është refuzuar kërkesa që Hashim Thaçi ta vizitojë babain e tij në gjendje të rëndë shëndetësore.
Specialja në vendim ka theksuar se nuk ka arsye të forta që Thaçi ta vizitojë babanë e tij.
Në vendimin e Speciales është thënë se gjendja shëndetësore e babait të Thaçit nuk është aq e rënduar. “Paneli nuk është i bindur se gjendja aktuale mjekësore e zotit Haxhi Thaçi përbën rrethana të forta sipas kuptimit të Rregullit 56(3). Konkretisht, Paneli vëren se, megjithëse zoti Haxhi Thaçi ka qenë i shtruar në spital nga [REDAKTUAR] janar 2025 dhe është ri-pranuar në Departamentin e Emergjencës më [REDAKTUAR] janar 2025, gjendja e tij duket se është stabilizuar që kur ai është larguar nga spitali. Ndërsa mbrojtja e Thaçit thekson rekomandimin në raportin mjekësor që thotë se zoti Haxhi Thaçi duhet të jetë [REDAKTUAR], nuk ka asnjë informacion në Kërkesë që sugjeron se zoti Haxhi Thaçi ka pasur nevojë për ri-shtrimin në spital ose që tregon ndonjë shenjë të degradimit të gjendjes së tij. Paneli vëren se zoti Haxhi Thaçi është në moshë të shtyrë dhe ka shqetësime shëndetësore, por, siç është theksuar, nuk ka asnjë informacion në Kërkesë që tregon se sëmundja e tij është aktualisht serioze”, është thënë në vendim raporton “Nacionale”.
Gjykata Speciale ka pretenduar se Thaçi përbën rrezik për dëshmitarët, andaj duhen kushte strike për ta realizuar një vizitë të tillë.
“Duke kujtuar se lëshimi për arsye humanitare të fuqishme duhet të balancohet me faktorë të tjerë të rëndësishëm, Paneli gjithashtu merr parasysh: (i) ekzistencën e një klime të vazhdueshme intimidimi ndaj dëshmitarëve dhe ndërhyrje në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kosovë; (ii) faktin që Paneli ka modifikuar kushtet e ndalimit të zotit Thaçi pasi ka dukur se ai ka dhënë informacione për vizitorët që nuk gëzonin privilegje, të cilat janë nxjerrë gjatë dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtur; dhe (iii) faktin që zoti Thaçi është ngarkuar – përveç akuzave në këto procedura – për vepra penale kundër administratës së drejtësisë dhe administratës publike dhe vepra penale kundër rendit publik për shkak të dyshimit për zbardhjen e informacionit sekret që i është komunikuar gjatë këtij gjykimi dhe, së bashku me të tjerët, për koordinimin për të ushtruar ndikim të paligjshëm mbi dëshmitarët e Prokurorisë në këtë çështje”, është thënë në vendim.
Në fund të vendimit është thënë se gjendja mjekësore e babit të Thaçit nuk është arsye e fortë. Por, ia kanë mundësuar disa video-lidhje më të shpeshta.
“Për këto arsye, Paneli vlerëson se, në balancë dhe në rrethanat aktuale, gjendja mjekësore e zotit Haxhi Thaçi nuk përbën arsye të forta humanitare që justifikojnë lirimin e tij të përkohshëm për një vizitë shëndetësore. Përfundimisht, Paneli vëren se Zyra e Regjistrimit ka përmendur se ekzistojnë mjete alternative për të mundësuar që zoti Thaçi të mbajë kontakte të ngushta me prindërit e tij. Prandaj, dhe duke marrë parasysh rëndësinë e kontakteve me anëtarët e ngushtë të familjes dhe në dritën e rrethanave mjekësore të përmendura më lart, Paneli urdhëron Regjistrarin që: (i) të mundësojë mundësinë e [REDAKTUAR] për muajin shkurt 2025; dhe (ii) të lejojë [REDAKTUAR] vizita shtesë me video, me [REDAKTUAR] më [REDAKTUAR] shkurt 2025”, është thënë në vendimin e Speciales.
Për refuzimin e vizitës, kishte treguar avokati i Thaçit, Luka Misetiq.