
Thahet liqeni i Vërmicës, dalin në pah piramidat ndarëse dhe pika e kufirit që ndau shqiptarët
Këtë vit, pas tërheqjes së ujit, dallohen qartë bunkerët, piramida D/10 dhe pjesë betoni të gdhendura në vitin 1937. Dalja e këtyre pjesëve në sipërfaqe rikthen banorët e zonës në kujtime të hidhura të asaj kohe.
“Veçanërisht familjet që nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë me ta kanë qenë të përndjekura, të ekspozuara pranë terrorit, e në raste të ndryshme, kanë ardhur në shtëpi, i kanë marrë, i kanë çuar te kufiri, i kanë ekzekutuar, ia kanë lënë një armë pranë, gjoja se ka dashur të dalë në Shqipëri”, tha Bujar Pulaj, banor i Vërmicës.
“Kjo zonë këtu, afër kufirit, në atë kohë nuk ka mundur të afrohet kush pa një leje të posaçme, qoftë për bagëti, qoftë për punët e fushës, sepse kjo pjesë këtu është mbjellë, ka qenë tokë pjellore. Nëse ka pasur dikush mysafir, është dashur t’i lajmërojnë, tek kryetari, apo përfaqësuesi i fshatit, ta lerë letër njoftimin aty e të tregonte se kemi mysafir filan fistekun”, shtoi Bujar Pulaj.
E pikërisht pas këtyre problemeve të vazhdueshme me ushtarët kufitarë dhe pasi toka e bukës u mbulua nga uji i liqenit, nisi shpërngulja e banorëve në masë të madhe, që në fillimet e vitit 1980.
Kjo pikë kufitare shërbeu si vijë ndarëse midis dy ish shteteve socialiste deri në vitin 1948, kohë kur edhe u prishën marrëdhëniet midis dy vendeve.
Por më shumë e njohur ndërkombëtarisht, kjo pikë kufitare u bë në mars të vitit 1999, përmes flukseve të depërtimit të banorëve nga trojet e veta nga e gjithë Kosova.