Thaqi: Ballkani rrëmben titullin ose Kupën
Armend Thaqi është ndër lojtarët e rrallë vendor që ka mbrojtur ngjyrat e Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Ai është zgjedhur lojtari i vitit në Superligë dhe synimin e radhës ka fitimin e një trofeu me Ballkanin dhe daljen në garat evropiane.
Armend Thaqi është shpallur futbollisti i vitit në Superligën e Kosovës në futboll. Mbrojtësi që tash mbron ngjyrat e Ballkanit ka thënë se është shumë i lumtur që suksesi shumëvjeçar është shpërblyer në fund. “Është një çmim dhe vlerësim që më kanë bërë të ndihem mirë dhe krenar, pasi është një shpërblim për punën disavjeçare. Normalisht se më jep motiv edhe më të madh të punoj dhe të arrij suksese të reja”, ka thënë Thaqi për “Epokën e re”.
Thaqi edicionin e kaluar me Prishtinën është shpallur fitues i Kupës, më pas mori ftesë nga Përfaqësuesja A, derisa me Ballkanin e përfundoi sezonin në vendin e dytë dhe në fund e fitoi edhe çmimin e më të mirit në futbollin e Kosovës. Ai është shprehur se gjithë këto suksese e bëjnë edhe më të fortë për të vazhduar me paraqitje dhe për t’i ndihmuar ekipit që të arrijë suksese. “Nuk ka ndjenjë më të mirë se ta përfaqësosh vendin ku je rritur dhe ta veshësh fanellën me simbolet e shtetit tënd. Synimi im është të vazhdoj me këtë ritëm të jap më të mirën nga vetja dhe ta ndihmoj ekipin për t’i arritur objektivat”, ka shtuar Thaqi.
Skuadra nga Suhareka e përfundoi sezonin vjeshtor në vendin e dytë me tri pikë më pak se Drita, por Thaqi beson se ky do të jetë një sezon i suksesshëm për skuadrën e Ballkanit. “Synojmë ta sigurojmë pjesëmarrjen në garat evropiane, por duke e parë ecurinë deri tash jemi në garë për trofe dhe do të luftojmë deri në fund që të arrijmë ndonjërin nga trofetë”, ka thënë Thaqi.
Në shtabin teknik të skuadrës së Ballkanit është bërë ndryshim duke u zëvendësuar Ismet Munishi me Bledi Shkëmbin, kurse mbrojtësi e ka falënderuar ish-trajnerin për punën e bërë dhe trajnerit të ri i ka uruar mirëseardhje. “Për ndryshimet e shtabit teknik është dikush tjetër që vendos dhe nuk kam dëshirë të komentoj shumë. Por nuk mundem pa e falënderuar trajnerin Ismet për të gjithë kontributin që ka dhënë për klubin dhe për ne. Po ashtu i uroj shumë suksese në të ardhmen. Ndërsa trajnerit Shkëmbi i kemi uruar mirëseardhje dhe jemi në shërbim të tij për gjithçka që i nevojitet dhe shpresojmë të na ecë mbarë dhe në fund të jemi të gëzuar”, ka deklaruar ish-kapiteni i Prishtinës.
Ballkani sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e dytë në tabelë me 38 pikë të grumbulluara, tri më pak se Drita që mban pozitën e parë dhe gjashtë më shumë se Prishtina që pozicionohet e treta në renditjen tabelore. Klubi që drejtohej nga Ismet Munishi në sezonin vjeshtor nga 18 ndeshje regjistroi 12 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje.
(Veton ZYMBERI)