Thaqi: Do të paraqitemi denjësisht ndaj Clujit 

06 shtator 2022 | 14:19

Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, pas fitores në Superligë ndaj Prishtinës, do të përballet me skuadrën Clujit të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri”. Mbrojtësi Armend Thaqi ka premtuar se do të japin maksimumin që të paraqiten denjësisht në këtë ndeshje.

Armend Thaqi është ndër lojtarët më të mirë në futbollin e Kosovës në vitet e fundit dhe motori kryesor i skuadrës së Ballkanit.

Mbrojtësi i krahut të djathtë të hënën për “Epokën e re” ka folur për ndeshjen e radhës që skuadra kampione e Kosovës e zhvillon në grupet e Ligës së Konferencës. Siç dihet, Ballkani e ka shkruar historinë duke u bërë skuadra e parë që arrin një sukses të tillë, derisa Thaqi premton maksimumin të enjten përballë skuadrës së Clujit.

“Ne jemi të kënaqur me të arriturat historike që kemi bërë, por nuk jemi ndalur së punuari që sukseset t’i vazhdojmë edhe në vazhdim. Të enjten e kemi ndeshjen debutuese në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës dhe do të përgatitemi në maksimum për t’u paraqitur në mënyrë të denjë dhe normalisht se do të jetë e vështirë sepse dihen kualitetet e ekipit të Clujit. Ne nuk do të dorëzohemi dhe do të mundohemi të japim më të mirën”, ka thënë Thaqi.

Zëvendëskapiteni i Ballkanit bëri asistimin në golin e vetëm që e shënoi Albion Rrahmani në përballje me Prishtinën (0-1). Lidhur me fitoren që kampionët e arritën të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”, Thaqi ka thënë se ishte e merituar dhe synim i skuadrës nga Suhareka është ta mbrojnë titullin. “Jemi shumë të kënaqur me fitoren në derbi kundër Prishtinës. Është një fitore shumë e merituar. Përderisa jemi po grupi i njëjtë që u shpallëm kampion, normalisht edhe këtë stinor synojmë ta mbrojmë titullin, edhe pse do jetë shumë e vështirë sepse është vetëm fillimi”, ka thënë Thaqi.

Përfaqësuesja e Kosovë në futboll në këtë muaj zhvillon edhe dy ndeshje në Ligën e Kombeve kundër Irlandës së Veriut më 24 shtator dhe tri ditë më vonë ndaj Qipros. I pyetur se a pret ftesë nga përzgjedhësi Alain Giresse pas formës së jashtëzakonshme që po kalon, Thaqi është përgjigjur: “Sa i përket ftesës është selektori që vendos kush e meriton e kush jo, mirëpo gjithmonë kur është e nevojshme jam i gatshëm të kontribuoj për vendin tim”.

/Veton ZYMBERI/  

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtar i Kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se…