Thaqi: E kisha obligim moral ta inkuadroja Malishevën në Superligë

19 maj 2021 | 12:06

Arsim Thaqi është i lumtur që ka arritur një synim të madh në karrierë, duke e inkuadruar për herë të parë në rangun elitar klubin nga vendlindja e tij, Malishevën.

Trajneri Arsim Thaqi ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke e inkuadruar për herë të parë skuadrën e Malishevës në Superligën e Kosovës në futboll. Trajneri Thaqi për “Epokën e re” ka thënë se ishte obligim moral i tij që këtë klub ta inkuadrojë në elitë pasi vjen nga ky regjion.

“Duke e ditur se jam nga ky regjion ka qenë një zgjedhje emocionale e imja që ta marrë drejtimin e Malishevës. Nuk ka qenë e lehtë marrja e kësaj detyre për faktin se mospërmbushja e objektivit do të ishte një dështim për mua si trajner. Kishte zëra se nuk kam qenë i interesuar ta drejtoj këtë klub, por i demantova të gjithë dhe e kreva obligimin moral që ta siguroj Superligën”, ka thënë Thaqi.

“Suksesi është historik, por rruga ka qenë e vështirë, sepse klubi nuk ka pasur përvojën e duhur. Për sukses janë të gjithë meritorë dhe e falënderoj gjithsecilin”, ka shtuar Thaqi.

Trajneri me përvojë të madhe ka thënë se ende nuk ka vendosur se a do të jetë në krye të këtij klubi edhe në rangun elitar, pasi marrëveshja ka qenë vetëm për gjashtë muaj. “Ende nuk kam vendosur se a do të jem në krye të klubit. Deri tash ka qenë zgjedhje emocionale, kurse tash e tutje duhet të jetë profesionale. Kontratë kam pasur vetëm për këta gjashtë muaj dhe jam krenar që kam arritur këtë sukses historik. Duhet të ulemi të bisedojmë dhe ta analizojmë situatën, pastaj të marrim një vendim që do të jetë i mirë, në rend të parë për klubin”, ka deklaruar Thaqi, raporton “Epoka e re”. Ky është suksesi i tretë i trajnerit Arsim Thaqi në karrierën si trajner, derisa i dyti i këtij lloji. “Suksesi me Malishevën është mjaft i veçantë, por i tillë është edhe ai me 2 Korrikun ku për tri vjet nga Liga e Dytë kemi arritur të inkuadrohem në Superligë. Një tjetër sukses për mua si trajner ishte drejtimi i Prishtinës në Ligën e Evropës”, ka shtuar ai.

Në fund trajneri Thaqi ka thënë se Malisheva ka potencial për Superligë dhe se i duhen disa ndryshime të vogla për të qenë një skuadër konkurruese me skuadrat e tjera të këtij rangu.

Skuadra e Malishevës është themeluar në vitin 2016, kurse brenda pesë vjetësh ka arritur sukses të jashtëzakonshëm duke u shpallur kampione e Ligës së Parë, njëherësh duke e siguruar pjesëmarrjen në Superligë.

/Veton ZYMBERI/

 

Thaqi zbulon se a do ta udhëheqë Malishevën në Superligë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur konferenca e…