Thaqi: Flamurtari do të jetë befasia e kampionatit

29 gusht 2018 | 18:11

Strategu Arsim Thaqi është optimist se Flamurtari i Prishtinës do të jetë befasia e kampionatit 2018/2019 në IPKO Superligë.

KF Flamurtari është skuadra që ka befasuar në dy xhirot e para në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, pasi ka regjistruar dy fitore dhe është lider i klasifikimit me gjashtë pikë. Trajneri Arsim Thaqi, i cili e mori drejtimin e kësaj skuadre para fillimit të kampionatit, ka thënë se skuadra kuqezi nga kryeqyteti do të jetë befasi e kampionatit 2018/2019. “Nuk kemi ambicie të mëdha në klub, por synimi ynë është mesi i tabelës dhe mosrrezikimi nga rënia prej elitës. Mirëpo, nëse vazhdojmë të punojmë dhe të luajmë sikurse deri tash, atëherë sigurisht se do të jemi klubi që do ta shkaktojë befasinë me të madhe. Ne do të shkojmë ndeshje pas ndeshje dhe nëse e mbyllim sezonin vjeshtor në pjesën e epërme, atëherë në janar do të bëjmë transferime dhe do ta kërkojmë maksimumin, por tash është herët dhe na duhet vetëm të punojmë”, ka thënë Thaqi për “Epokën e re”.

Skuadra e Flamurtarit në ndeshjen e parë e mposhti Ferizajn, kurse në ndeshjen e dytë befasoi kampionen aktuale, Dritën (1-3). Trajneri Thaqi është treguar realist kur ka folur për fillim e këtij edicioni, duke thënë se nuk e ka pritur një fitore në Gjilan për faktin se Drita ka një skuadër me futbollistë cilësorë. “Të them të drejtën, nuk e kam pritur një fillim të tillë, pasi në ndeshjen e dytë përballë e kishim kampionen. Lojtarët u angazhuan shumë në pjesën e dytë dhe e panë se mund të mposhtet Drita dhe e arritëm një gjë të tillë me plot meritë”, ka shtuar Thaqi, i cili një fillim të mirë kishte edhe në kohën kur e drejtonte skuadrën e Prishtinës dhe Trepçës ’89. Skuadra nga kryeqyteti, që mezi e siguroi mbijetesën në edicion e kaluar, ndeshjen e tretë e zhvillon të shtunën si vendëse ndaj KEK-ut.

Lidhur me këtë ndeshje Thaqi ka deklaruar se Flamurtari synon fitoren edhe përkundër faktit se kundërshtari është një skuadër e papërshtatshme. “Nuk ka kundërshtar të lehtë. I tillë është edhe KEK-u. Kjo u vërtetua edhe në ndeshjen e kaluar ku Gjilani mezi arriti t’i arkëtojë pikët e plota. Ne qëndrojmë me këmbë në tokë, edhe pse kemi arritur dy fitore dhe në ndeshjen ndaj KEK-ut do t’i qasemi me seriozitet të madh për të arritur fitore, pasi kjo dhe ndeshja tjetër me Lirinë janë shumë të rëndësishme për klubin tonë”, ka deklaruar Thaqi.

/Veton ZYMBERI/  

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eurodeputeti gjerman i CDU-së me influencë të madhe në Parlamentin…