Thaqi: Gjilani nuk ka frikë nga Vëllaznimi

17 maj 2018 | 17:24

Reprezentuesi i Kosovës, Armend Thaqi, ka bërë me dije se Gjilani nuk ka frikë nga Vëllaznimi, pasi e ka më të lehtë për ta siguruar mbijetesën pa luajtur ndeshjen e barazhit.

Një prej lojtarëve kryesorë në skuadrën e Gjilanit, Armend Thaqi, ka thënë të mërkurën për “Epokën e re” se skuadra e tij nuk ia ka aspak frikën skuadrës së Vëllaznimit me të cilën përballet në xhiron e fundit të edicionit. Përballja në mes të Vëllaznimit dhe Gjilanit është interesante, pasi skuadrat luajnë për t’i ikur barazhit.

“Është ndeshja e sezonit për të gjithë ne në klub. Presim një ndeshje të nxehtë në Gjakovë, por nuk kemi arsye të kemi frikë nga Vëllaznimi, sepse jemi më lart se ai dhe presioni nuk është në anën tonë. Atij i duhen tri pikët, kurse neve na mjafton barazimi. Të shohim çfarë do të ndodhë të shtunën”, ka thënë Armend Thaqi, i cili ka shprehur mendimin se skuadra e Gjilanit nuk e ka merituar këtë pozitë. “Konkretizimi i rasteve në shumë ndeshje na ka kushtuar dhe në shumë prej tyre kemi humbur pikët që nuk është dashur, prandaj jemi ku jemi. Gjilani në bazë të lojërave që ka treguar nuk e ka merituar këtë pozitë, por me rëndësi është të sigurojë mbijetesën”, ka deklaruar ai, raporton “Epoka e re”.

Reprezentuesi i Kosovës në futboll vazhdimisht është lidhur me një transferim në futbollin e Shqipërisë, por lidhur me këtë Thaqi nuk ka dashur të flasë gjatë. “Për të ardhmen time gjithçka do të vendoset pas ndeshjes që zhvillohet të shtunën, pasi tash nuk është momenti të flas, për faktin se përpara e kemi ndeshjen e vitit dhe shpresojmë ta përfundojmë në mënyrën më të mirë”, ka përfunduar Thaqi.

Skuadra e Gjilanit aktualisht pozicionohet e teta me 45 pikë, po aq sa ka skuadra e Feronikelit, kurse Vëllaznimi është një pozitë më poshtë me dy pikë më pak të grumbulluara. Nga 32 ndeshje, Gjilani ka regjistruar 10 fitore, 15 barazime dhe 7 humbje.

(Veton ZYMBERI)

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me 71 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime, Kuvendi…