Thaqi: Ishte kampionat pozitiv për Flamurtarin
Sigurimi i mbijetesës pa barazh dhe grumbullimi i 45 pikëve ka bërë që trajneri Arsim Thaqi ta vlerësojë kampionatin e sapopërfunduar si të suksesshëm për Flamurtarin.
Trajneri Arsim Thaqi e ka vlerësuar edicionin 2018/2019 të suksesshëm për skuadrën e Flamurtarit, por edhe në aspektin personal.
Trajneri Thaqi ka thënë për “Epokën e re” se sukses mund të quhet fakti se skuadra kuqezi nuk kishte nevojë të luajë në barazh dhe grumbulloi njëzetë pikë më shumë sesa në sezonin paraprak. “Për mua si trajner dhe për Flamurtarin si klub ka qenë një kampionat i suksesshëm, pasi arritëm ta sigurojmë mbetjen në elitë pa pasur nevojë të luajmë në barazh. Po ashtu, kemi krijuar një ekip të mirë ani pse nuk kishim shumë emra në ekip. Flamurtari edicionin e kaluar e siguroi mbijetesën nëpërmjet barazhit dhe kishte 25 pikë, kurse sivjet pa barazh dhe grumbulluam 45 pikë”, ka thënë Thaqi.
Ish-trajneri i 2 Korrikut dhe Trepçës ’89 ishte trajner dhe më pas drejtor në skuadrën e Prishtinës, por në verën e kaluar u largua nga “bardhekaltrit” për t’iu bashkuar skuadrës tjetër nga kryeqyteti, Flamurtarit. Pavarësisht prej organizimit të vonshëm dhe ambicieve jo të mëdha, Thaqi për disa javë e mbajti Flamurtarin në krye të tabelës, duke i mahnitur të gjithë me rezultatet e arritura. Ai ka treguar për gazetë se kontrata i përfundon në qershor, por nuk e përjashton mundësinë që edhe në edicionin e ri t’i prijë skuadrës së Flamurtarit.
“Ne ende jemi duke i vazhduar stërvitjet, kurse kontrata ime me këtë klub është deri në qershor. Normalisht se shumë herët. Duhet të ulemi dhe të bisedojmë me drejtuesit e Flamurtarit për ta parë mundësinë se a do ta vazhdojmë bashkëpunimin apo jo. Kam kaluar gjatë kësaj kohe mirë me lojtarët dhe kryetarin e klubit, prandaj do t’i jap përparësi Flamurtarit edhe nëse më vjen ndonjë ofertë serioze. Nëse nuk gjejmë gjuhë të përbashkët me Flamurtarin, më mbetet t’i shikoj mundësitë e tjera”, ka deklaruar Thaqi për “Epokën e re” . Flamurtari kampionatin e mbylli në pozitën e pestë me 45 pikë.
/Veton ZYMBERI/