Thaqi trimërohet pas fitores ndaj Prishtinës: Drita do të shpallet kampione
Trajneri Arsim Thaqi ka bindjen e plotë se skuadra e tij Drita do të shpallet kampione e Kosovës në futboll.
Thaqi i është gëzuar fitores në derbin ndaj Prishtinës. Kjo ndeshje i takoi xhiros së 21-të dhe u zhvillua në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Prishtina ishte vendase, ndërsa ndeshja ndaj Dritës përfundoi 2:1 në favor të ekipit nga Gjilani.
“Nuk është e lehtë të luhet ndaj Prishtinës sidomos për shkak të rezultateve të tyre negative në këtë fillim të stinorit pranveror. Fituam ndeshjen, por me pak fat do ta vendosnim më herët fitoren. Është një fitore që na çon drejt titullit të kampionit. Drita do të jetë kampione e Kosovës. Presim të na kthehen edhe lojtarët e lënduar që i kanë munguar Dritës shumë”, ka thënë Thaqi.
Drita është në vendin e parë me 44 pikë, sa ka edhe Ballkani, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.