‘The Guardian’: Amerikanët të bindur se grupi terrorist është armatosur dhe kontrolluar nga Beogradi

02 tetor 2023 | 12:38

Sipas prestigjiozes britanike, “The Guardian”, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), privatisht kanë thënë se i kanë parë si “bindëse” provat që i kanë prezantuar autoritetet në Kosovë.

“Më 24 shtator një grup paramilitar i serbëve të Kosovës të armatosur mirë e zunë në pritë një patrullë policore të Kosovës dhe përgjatë përleshjes, një polic dhe tre serbë sulmues u vranë. Qeveria kosovare ka prezantuar prova që tregojnë se grupi ka qenë i armatosur dhe i kontrolluar nga Beogradi, dhe zyrtarët e ShBA-së privatisht e kanë bërë të qartë që këto prova i shohin si bindëse”, është thënë në artikullin e “The Guardian”.

Sveçla ka paraqitur të tjera fakte që dëshmojnë përfshirjen e Serbisë në grupin që sulmoi Policinë e Kosovës. Pamjet e reja janë siguruar nga dronët e terroristëve të cilët janë konfiskuar nga policia, pasi grupi i armatosur iku nga zona ku sulmoi.

Ndërsa gjatë javës së kaluar, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një video nga hapësirat e manastirit të Banjskës, ku në ditën e sulmit, shihet Millan Radojiçiq.

Më pas, Sveçla ka lëshuar edhe një informacion tjetër, të cilin e ka prezantuar si dëshmi. Ai ka publikuar fotografinë e një prej sulmuesve të vrarë, për të cilin ka thënë se është Bojan Mijailoviq, truproja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandër Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.

“Dëshmia” tjetër për përfshirjen e Serbisë në sulmin e 24 shtatorit që e ka prezantuar Sveçla ka të bëjë me armatimin që u konfiskua në manastirin e Banjskës. Ai ka publikuar një dokument, për të cilin ka thënë se është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas është zënë nga Policia e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Granit Xhaka gjatë verës u transferua nga Arsenali në Bayer…