The Guardian: Rita Ora dhe Dua Lipa do të mbajnë sivjet koncerte në Tiranë
E përditshmja britanike The Guardian, ka publikuar të shtunën një artikull promovues për turizmin në Shqipëri.
Nën titullin “Turistët në Mbretërinë e Bashkuar shkojnë në Shqipëri për ‘ndjenjën ekzotike’ pa fluturime të gjata”, mediumi i famshëm në Angli ka treguar disa nga arsyet se pse britanikët duhet ta vizitojnë shtetin shqiptar për pushime.
“Shqipëria ka qenë në radarin e udhëtarëve të guximshëm me çanta shpine për disa kohë, por këtë vit operatorët turistikë po parashikojnë se vendi i Ballkanit juglindor do të bëhet një destinacion kryesor pushimesh për udhëtarët në Mbretërinë e Bashkuar pas një rritjeje të rezervimeve këtë janar”, ka shkruar The Guardian.
Ndër të tjerash, duket se arsye më e veçantë e britanikëve për të vizituar këtë vend, është edhe njohja me origjinën e artisteve shqiptare me famë botërore: Rita Ora dhe Dua Lipa, të cilat që të dyja u rritën dhe bënë karrierë në Mbretërinë e Bashkuar.
The Guardian përmend Duan, Ritën dhe futbollistin Armando Broja, ndikuan në rritjen e profilit të vendit, si yje të listës A që nuk hezituan të bëjnë vizita në Shqipëri ndër vite.
“Diaspora e madhe shqiptare e Mbretërisë së Bashkuar dhe kampionët dhe këngëtaret e famshme, si futbollisti i ekipit të Southampton, Armando Broja dhe yjet e popit Dua Lipa dhe Rita Ora, kanë ndihmuar më tej në ngritjen e profilit të vendit”, shkruan gazeta britanike.
Teksa janë cekur disa nga destinacionet më turistike për t’u vizituar dhe mbetjet e veçanta të Shqipërisë si bunkerët apo qytetet antike, mediumi britanik nuk ka kaluar pa përmendur edhe kryeqytetin, Tiranën.
Gazeta shkruan se Tirana do të jetë sivjet nikoqire e koncerteve të artisteve të lartpërmendura, të cilat me sukseset e tyre mbarëbotërore e kanë vendosur Shqipërinë dhe Kosovën në hartat globale.
“Ka shumë për të parë dhe bërë në Tiranë, e cila është e sigurt, e kalueshme dhe ndihet e zhurmshme pa u pushtuar nga turistët. Ka një skenë të lulëzuar baresh dhe restorantesh, veçanërisht në rrethin e Bllokut, dhe shumë muze për t’u vizituar. Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2022 dhe do të presë një program aktivitetesh arti dhe kulinarie, si dhe koncerte nga: Dua Lipa dhe Rita Ora”, shkruhet ndër të tjerash në artikullin promovues të The Guardian për Shqipërinë.
Dua Lipa përndryshe ishte vitin e kaluar në Shqipëri për pushime verore me familjen e saj, gjersa hera e fundit kur ajo ka mbajtur koncert në Tiranë ka qenë vera e vitit 2016.
Ndërkohë, Rita Ora kishte performuar në Shqipëri për herë të parë në një koncert gjigant të mbajtur më 28 nëntor 2012, në nder të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe më pas në një koncert të dytë gjashtë vite më vonë, në qershor të vitit 2018.