‘The Telegraph’: Berisha shpenzoi 400 mijë funte në betejën ligjore për të hyrë në Britani
Gazeta e njohur britanike, “The Telegraph”, raportoi të mërkurën se ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka shpenzuar mbi 400 mijë funte për ta luftuar vendimin e Qeverisë britanike për t’ia ndaluar hyrjen në Mbretëri të Bashkuar.
Sali Berishës, 79 vjeç, që është akuzuar për korrupsion në Shqipëri, i ishte ndaluar hyrja në Britani nga Priti Patel, atëherë sekretare e Mbrojtjes, mbi bazën se ai kishte “lidhje të qarta me grupet e krimit të organizuar dhe kriminelët” që paraqisnin kërcënim ndaj sigurisë publike në Britani dhe Shqipëri, raporton gazeta “The Telegraph”.
Ai ka shërbyer si president i Shqipërisë nga viti 1992 deri më 1997 dhe si kryeministër nga viti 2005 deri më 2013. Tani e udhëheq Partinë Demokratike në opozitë.
Përmes dokumenteve në Shqipëri, raporton gazeta, është zbuluar se Berisha ka shpenzuar më shumë se 500 mijë euro (417 mijë funte) duke angazhuar avokatë në Britani për ta trajtuar rastin e tij.
Një burim në Shqipëri, që e ka parë dosjen, tha: “Për qëllim të këtij apeli në SIAC [Komisioni i Posaçëm i Apelit për Migrim], vajza e tij nga llogaria e saj bankare më 2022 bëri një pagesë prej 72 mijë eurosh. Pastaj më 2023 një pagesë prej 250 mijë eurosh dhe pagesën e fundit prej 200 mijë eurosh.”
Këto pretendime dalin në një dosje prej rreth 500 faqesh të dokumenteve si pjesë e rastit që po hetohet nga gjykata e posaçme shqiptare kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar – SPAK.
Ai është akuzuar nga prokurorët e SPAK-ut për korrupsion pasiv, shkelje që bart dënim maksimal deri në 12 vite burgim në rastet ku dëshmohet se personi ka pasur përfitim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga veprimet e veta të paligjshme.