“The Times”: Ekipi i Thaçit thotë se ai nuk ka arsye të frikësohet nga Specialja

20 maj 2020 | 10:31

Gazeta prestigjioze britanike “The Times” i ka kushtuar një artikull rreth vrasjeve të pasluftës dhe Gjykatës Speciale.

Personazh i këtij artikulli të autorit Anthony Lloyd, është ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Gani Geci.

Artikulli shkruan për atentatet e bëra ndaj tij, vrasjet e aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pretendimet e raportit të Dick Martyt etj.

Sa herë që është cak i ndonjë tentim atentati, Gani Geci kundërpërgjigjet prerë.

Ky ish-deputet dhe ish-luftëtar i regjur, tregon se u ka mbijetuar tri sulmeve të motivuara politikisht gjatë 22 vjetëve të kaluar.

Sulmi i parë kishte qenë pritë mbi veturën e tij, me ç’rast njëri prej sulmuesve të tij ishte vrarë në përleshjen e mëpasme të armatosur.

Tre vjet më vonë, dy shoqërues të tij u vranë në pritën e radhës, teksa Geci iu kundërvu sulmuesve të tij me një pistoletë.

Ai shpëtoi sërish, ndonëse u qëllua në të dyja këmbët, shkruan The Times përcjell Klan Kosova.

Gjashtë vjet më parë, Gani Geci qëlloi për vdekje një person në një kafene.

Geci ka treguar se i ndjeri tanimë do ta qëllonte atë.

Për këtë vrasje anëtari i LDK-së u akuzua dhe u burgos.

U lirua nga Apeli pas dy vjetësh, kur një gjyqtar vendosi se ai kishte vepruar në vetëmbrojtje.

Geci 53-vjeçar, veteran i luftës së Kosovës, vazhdon ta ketë veturën e blinduar në bodrumin e shtëpisë së tij në Drenicë.

Ai ka dyshime se mund të ketë një atentat të katërt ndaj tij.

Që kur u intervistua nga hetuesit për krime lufte të Dhomave të Specializuara të Kosovës, e njohur me emrin si “Specialja”, ai druan se mund të vritet nga armiqtë.

Frika e tij është rritur nga tri aktakuza për krime lufte, të lëshuara nga Haga, të cilat kthejnë sërish në fokus krimet e kryera nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  aleatët e dikurshëm të NATO-s në luftën për pavarësi.

Pasojat mbërthejnë tërë Evropën, duke shkuar deri në Shtëpi të Bardhë.

Aktakuzat e kanë shtyrë Hashim Thaçin, veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe liderin e dikurshëm ballkanik favorit të Perëndimit, tash president i Kosovës, që t’i bëjë thirrje Pompeos, sekretarit amerikan të Shtetit, për t’i ndryshuar procedurat e kësaj gjykate.

Qeveria reformatore e Kosovës, në kundërshti me Thaçin, është rrëzuar dhe kriza është duke i përçarë aleatët e NATO-s.

Për dëshmitarët si Gani Geci, shqetësimi kryesor është të mbetet gjallë.

“Nuk e di se sa e rëndësishme është intervista ime. Vetëm prokuroria dhe gjykata mund ta dinë atë gjë. Natyrisht, druaj se ata mund të më vrasin; mbase jo shkaku i dëshmisë sime, por për t’i frikësuar dëshmitarët e tjerë”.

Përmbajtja e aktakuzave të vulosura, të lëshuara në shkurt dhe prill, do të mbetet sekrete deri në miratimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, francezit Nicolas Guillou, i cili i ka gjashtë muaj afat për të vendosur.

Thaçi ka interesa të veçanta në këtë çështje, pasi që është përmendur 27 herë në një dokument të 2011-s nga Këshilli i Evropës.

Ai dokument, i shkruar nga Dick Marty, senator zviceran, përmend akuza për abuzime të tmerrshme nga UÇK-ja gjatë luftës dhe menjëherë pas saj, kur Thaçi ishte kreu i Drejtorisë Politike.

Thaçi dhe aleatët e tij e kanë mohuar gjithnjë përfshirjen në ndonjë prej këtyre krimeve, teksa stafi i tij thotë se presidenti nuk është fare i shqetësuar rreth përmbajtjes së aktakuzave.

Shefit i stafit të presidentit Bekim Çollaku,  thotë se Gjykata është e pavarur dhe askush nuk mund të dijë se kush mund të jetë i akuzuar.

“Gjykata është e pavarur dhe në këtë stad askush nuk ka ide se kush mund të jetë i përfshirë në valën e parë të aktakuzave. Natyrisht, pasi që presidenti është midis të parëve në listën e raportit të Dick Martyt, ai është i vetëdijshëm se mund të ketë nevojë të përgjigjet, nëse i bëhet ftesë nga Gjykata. Por nuk është se ky është preokupim ditor i tij”

Dihet se pjesa më e madhe e hetimeve është fokusuar tek rastet që kanë të bëjnë me vrasjet politike të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga persona të armatosur të PDK-së, partisë së themeluar nga krahu politik i Thaçit në UÇK.

Aktivistët e LDK-së vlerësojnë se rreth 80 anëtarë të partisë së tyre u vranë gjatë luftës dhe menjëherë pas saj.

Gani Geci, njëri prej anëtarëve kryesorë të LDK-së, është i sigurt se tentim atentatet mbi të kanë motive politike, teksa besnikërinë ndaj miqve të vrarë të LDK-së e përmend si arsye se përse kishte folur rreth vrasjeve.

“Kurrë nuk do të zmbrapsem rreth kësaj çështjeje. Përgjegjësit për këto vrasje janë qyqarë dhe duhet të vihen para drejtësisë”.

Aktakuzat e kanë ndezur gjendjen e brishtë politike brenda Kosovës dhe përtej, duke e përzier çështjen e drejtësisë me politikat e përgjithshme rajonale.

Kreu i shtetit të Kosovës i shkroi Pompeos në nëntor, duke i kërkuar administratës amerikane që të ndërmarrë reforma në hetime, duke e shprehur qëndrimin e rivendosjes në Kosovë të disa prej proceseve gjyqësore.

“Është pa vend që ata persona të përmendur në raportet publike, si ai i senatorit Dick Marty nga Zvicra… i janë nënshtruar rrezikut për hetime dhe ndjekje potenciale, penale për gati tetë vjet” , ka shkruar ai në letër, e publikuar në mars nga “Koha Ditore”, shkruan “The Times” përcjell Klan Kosova.

Përgjigjja e sekretarit të SHBA-ve ishte e ashpër dhe e prerë, duke iu referuar raportit të Martyt dhe duke paralajmëruar Thaçin ndaj çfarëdo përpjekjeje për cenimin e procedurave.

Një muaj pas aktakuzave të para në Hagë, Qeveria reformatore e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, që e mori pushtetin me mandatin për luftimin e korrupsionit,  u rrëzua pasi që e humbi votëbesimin.

Në aspektin teknik, rrëzimi i tij erdhi si rezultat i një mosmarrëveshjeje rreth tarifave 100 për qind të Kosovës mbi mallrat serbe, por diplomatët e Bashkimit Evropian u neveritën rreth periudhës kohore kur ndodhi një gjë e tillë.

Ata u përplasën me homologët e tyre amerikanë rreth pretendimeve se votëbesimi u mundësua për t’ia lejuar Thaçit që ta rrëmbejë nismën politike.

Një ditë para miratimit të mocionit të mosbesimit, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, e shprehu përmes Twitterit përkrahjen e tij për të.

Ky veprim veprim u dënua nga Viola von Cramon-Taubadel, raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën.

“Si mundeni ju si ambasador të shpreheni i kënaqur me rrëzimin e një qeverie funksionale gjatë pandemisë së koronavirusit? E pabesueshme. E papërgjegjshme”, shkroi ajo në Twitter.

Sidoqoftë, Thaçi dhe administrata Trump kanë gjetur të përbashkëta, në kuadër të përpjekjeve të SHBA-së për ta shtyrë përpara një marrëveshje paqësore midis Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi në të kaluarën e ka përmendur mundësinë e një marrëveshjeje të tillë, që përfshin “korrigjimin e kufijve”; një term ky diplomatik për shkëmbim territoresh.

SHBA-ja duket e hapur për një ide të tillë, teksa shtetet evropiane janë të shqetësuara duke e kundërshtuar këtë ide se çfarëdo ndryshimi kufijsh do ta ndizte sërish Ballkanin.

Mosnjohja e Kosovës nga Serbia ka dalë të jetë pengesë për integrimin e të dyja shteteve në BE.

Përkrahësit e shkëmbimit të territoreve pretendojnë se nëse dy shtetet shkëmbejnë pjesë të territoreve të tyre, të banuara nga popullsitë e tyre pakicë, atëherë mund të jenë në gjendje ta nënshkruajnë një marrëveshje historike paqësore, e cila do t’ia siguronte Trumpit një fitore në politikën e jashtme para zgjedhjeve të nëntorit në SHBA dhe t’i zmbrapste proceset gjyqësore në Hagë.

Zëvendëskryeministri në detyrë Haki Abazi e ka kundërshtuar fuqishëm shkëmbimin e territoreve.

“Dukej recetë e gatshme për një sukses të mundshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare; një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, që në prag të zgjedhjeve në SHBA do të përmendej si sukses i Trumpit dhe i administratës së tij. Dhe, nëse Thaçi do të dilte në fotografi me Vuçiqin dhe Trumpin, duke nënshkruar marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, një gjë e tillë do t’ia rriste gjasat atij për t’u shqyrtuar për Nobelin e Paqes, duke e nxjerrë jashtë Gjykatën Speciale”.

Pavarësisht se si do të ecin gjërat rreth aktakuzave, vënia para drejtësisë e përgjegjësve, gjatë gjykimeve të mëparshme për krimet në Ballkan, ka dështuar që të promovojë pajtimin apo ta zbusë nacionalizmin.

E Gani Geci, thekson se Specialja është e vetmja shpresë se mund të bëhet diçka për t’u zbuluar vrasjet e pasluftës.

“Specialja është shpresa e fundit se mund të bëhet diçka për t’i zbuluar vrasjet e pasluftës të anëtarëve të LDK-së, në mënyrë që së paku familjet e tyre të kenë njëfarë prehjeje”, thotë Geci. “Por unë jam nacionalist dhe nuk jam i interesuar ta di se kush i vrau ushtarët serbë, apo madje edhe civilët serbë, pasi që ata kanë ardhur si kolonizatorë në shtetin tonë dhe mund të ketë pasur njerëz të zemëruar pas luftës, që mund të kenë vrarë serbë”.

Ai tani pret në ankth javët, për të parë nëse do të ketë ndonjë përpjekje të radhës për ta vrarë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se…