“The Times”: Kurti ofendoi shumë njerëz, s’i kanë mbetur miq për të bërë koalicion
Njeriu që do të jetë kryeministër i Kosovës ka ofenduar shumë njerëz në rrugëtimin e tij nga një rebel në politikanin kryesor, shkruan Hannah Lucinda Smith për “The Times”
Pushteti mund të paraqesë dilema kur emrin që e keni arritur, e keni arritur si rebel, siç po e mëson Albin Kurti, kryeministri në pritje i Kosovës.
Kurti, 44-vjeç, u bë i njohur si një aktivist në fund të viteve të ’90-ta, duke demonstruar kundër represionit në rritje ndaj shqiptarëve të Kosovës nga Serbia e Sllbodan Millosheviqit. Me flokë të gjata dhe me stil prej rokeri, ai udhëhoqi protestat studentore në Universitetin e Prishtinës, punoi për krahun politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u burgos nga regjimi i Millosheviqit për gati tri vjet.
Në epokën e pasluftës, ai nisi të kritikonte misionet ndërkombëtare të angazhuara për të mbikëqyrur rimëkëmbjen e Kosovës, së pari OKB-në e më pas BE-në.
Kur Kosova e fitoi pavarësinë e saj më 2008, ai e kritikoi edhe atë, duke refuzuar ta njohë flamurin e saj dhe duke preferuar të paraqitej para flamurit me shqiponjën dykrenare të Shqipërisë, me të cilën ai avokon bashkimin. Ai ka hedhur gaz lotsjellës në parlament dhe ka organizuar demonstrata në rrugë. Burokratët ndërkombëtarë për të flasin me tone dashurie, admirimi e zemërimi.
Kurti dukej se po e shijonte imazhin e tij prej një problematiku por në tetor, partia e tij Vetëvendosja mori më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare; rezultat befasues që solli nëpër rrugët e Prishtinës turma të mëdha njerëzish. Për përkrahësit e tij, Kurti është një figurë gati-mesianike që premton të çojë vendin e trazuar në një epokë të re.
Por, kanë kaluar tre muaj dhe ai ende po pret të marrë çelësat e zyrës së tij. Me vetëm 26.3 për qind të votave, partia e tij duhet të formojë koalicion për të qeverisur – dhe problemi është se partnerët e tij potencialë janë po ato parti që ai aq zëshëm dhe vazhdueshëm i ka kundërshtuar. Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi, e cila fitoi më së shumti vota në mesin e pakicës serbe në Kosovë, që përbën 6 për qind të popullatës, ka akuzuar atë për “shovinizëm të shfrenuar dhe urrejtje ndaj gjithçkaje serbe” pasi ai tha se partia nuk do të përfshihej në qeverinë e tij.
Kur ai foli për “The Times” pak kohë më parë, Kurti ishte i bllokuar në negociata me Lidhjen Demokratike të Kosovës, partia e dytë në zgjedhje, negociata për të cilat ai tha se janë “99 për qind të përfunduara”. Por, kur u duk se marrëveshja ishte arritur, bisedimet dështuan sërish. Në fund të muajit të kaluar, parlamenti u mblodh, por dha shenja se mund të ketë edhe zgjedhje të reja. Isa Mustafa, lideri i LDK-së, fajësoi Kurtin për këtë rrugë qorre, duke thënë se Vetëvendosja ka një politikë të “fajësimit”.
Kurti do të thoshte se ka shumë arsye për t’u fajësuar (LDK-ja). Bashkë me PDK-në, LDK-ja ka dominuar politikën kosovare që nga përfundimi i luftës 1998-1999. Presidenti Thaçi, 51 vjeç, ish-anëtar i PDK-së, shumë shpejt mund të përballet me një tribunal ndërkombëtar rreth pretendimeve se ka kryesuar një rrjet të trafikimit të organeve gjatë luftës.
Korrupsioni dhe nepotizmi kanë lulëzuar gjatë udhëheqjeve të tyre, ndërsa Serbia ka nisur një fushatë për t’i bindur shtetet të tërheqin njohjet e pavarësisë së Kosovës. Në një përpjekje për të forcuar imazhin e tij ndërkombëtar dhe të arrijë një marrëveshje të shpejtë me Beogradin, Thaçi nisi negociata të fshehta për shkëmbim territoresh me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq; një plan i papërkrahur nga shumë që ndihmoi Kurtin, kritikun e ashpër të këtij plani, të fitojë në zgjedhjet e tetorit.
“Presidenti pati dy vjet për ta bindur popullin e Kosovës për idenë e tij për shkëmbim territoresh, dhe ai ia doli të nxiste protestat më të mëdha në historinë e Kosovës së pasluftës kundër tij. Dështoi”, tha Kurti, transmeton “Koha.net”.
Për pretendimet për krime lufte, Kurti thotë se nëse Thaçi dhe Ramush Haradinaj, kryeministri në largim i Kosovës, kanë ndonjë akuzë për çka duhet të përgjigjen, atë duhet ta bëjnë në një gjykatë kosovare, jo ndërkombëtare. Por, ai insiston se brenga më e madhe është se çfarë ata kanë bërë që nga përfundimi i luftës.
“Kemi dëshmi me ton edhe për krime gjatë paqes, dhe asgjë s’po bëhet për to. Si ka mundësi që ata të jenë disa nga njerëzit më të pasur në vend?”.
Derisa Kurti ka qenë duke negociuar me LDK-në, aktivistë të Vetëvendosjes kanë vazhduar të protestojnë, e fundit ishte kundër vizitës së Vuçiqit në Tiranë për të biseduar me liderët tjerë ballkanik rreth krijimit të Mini-Schengenit Ballkanik.
Vetë Kurti ka ndryshuar tonin, duke i ngjasuar më shumë një burrështetasi, që nga zgjedhjet, duke shkruar në llogarinë e tij në Twitter se: “Parimet e gjithëpërfshirjes dhe të reciprocitetit duhet të udhëheqin iniciativat rajonale. Rruga nga Beogradi në Tiranë kalon përmes Prishtinës”. Këtyre ditëve, ai mban frizurë dhe kostume më të dukshme.
Por kritikët thonë se ai mund ta ketë të pamundur të çlirohet mjaftueshëm nga e kaluara e tij radikale, dhe të bëjë kompromiset e nevojshme për të arritur një zgjidhje me Serbinë, pengesa që po e ndalon Kosovën të tejkalojë paradigmën e saj të pasluftës. Edhe në partinë e tij kanë lulëzuar grindjet e brendshme. Shpend Ahmeti, 41 vjeç, kryetari i Prishtinës nga Vetëvendosja, u largua nga partia në maj të vitit 2018, duke thënë se ai “nuk beson më se organizata, në gjendjen e saj aktuale, është rruga më e shpejtë për ndryshim”.
Shkodran Ramadani, analist politik dhe ish-anëtar i VV-së që u përjashtua nga partia gjashtë vjet më parë sepse avokoi për dialog me Serbinë, thotë se Kurti, i cili tani është hapur për mundësinë e bisedimeve, është “moderuar, por jo shumë”.
“Për këtë arsye fitoi, sepse njerëzit besojnë se ai është reformuar. Ai gjithmonë ka thënë se kërkesat e Kosovës janë shumë të vogla, dhe këtë e shihte si dobësi të elitës. Tani do ta shohë se s’mund ta detyrojë Serbinë. Nëse ai mendon se mund të marrë njohjen e Serbisë pa dhënë asgjë, atëherë dështimi është i garantuar”, thotë Ramadani.
“Por fitorja e tij është pozitive në shumë mënyra. Ai është një frymë e ajrit të pastër, pavarësisht kritikave. Për të do të jetë më e lehtë të udhëheqë më mirë se Haradinaj, por do ta gjykoj atë në bazë të standardeve të tij”.