Theksohet rëndësia e orientimit të të rinjve drejt nevojave të tregut
Njoftimi mbi aktivitetet dhe punën e Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), diskutimi lidhur me mundësitë e bashkëpunimit, krijimi i linjave të komunikimit për delegimin e problemeve me të cilat ballafaqohen bizneset e Komunës së Gjilanit, e ofertat e kësaj komune për bizneset e interesuara që të investojnë në këtë rajon ishin qëllimi i takimit të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Gjatë këtij takimi përfaqësuesit e Odës së Afarizmit uruan Hysenin për pozitën e kryetarit të komunës duke u shprehur të hapur për të ofruar bashkëpunim profesional në çështjet me interes reciprok.
OAK-u në këtë takim shpalosi prioritetet e saj, disa nga aktivitetet, bizneset që përfaqëson e çështjet për të cilat është duke lobuar aktualisht.
Ndër të tjera, u theksua edhe rëndësia e komunikimit dhe bashkëpunimit më të madh mes sektorit privat dhe atij publik, duke përfshirë institucionet qendrore e ato lokale, në mënyrë që vendimet të mos merren ad-hoc por të koordinuara paraprakisht.
Hyseni duke falënderuar përfaqësuesit e OAK-së për takimin dhe çështjet e ngritura, u shpreh i hapur për bashkëpunim reciprok. Hyseni shpalosi disa nga projektet aktuale të Komunës së Gjilanit me qëllim të ofrimit të përkrahjes dhe krijimin e kushteve më të mira për të bërë biznes në këtë komunë.
Gjithashtu, kryetari theksoi rëndësinë e orientimit të të rinjve drejt nevojave të tregut, me qëllim të arsimit dhe aftësimit profesional, dhe rëndësinë e ndërlidhjes së bizneseve dhe të rinjve me tregun e punës.