
Thellohet bashkëpunimi Kosovë- Shqipëri me bashkëpunimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Fakultetit Filozofik të UP-së
Sot, në ambientet e Universitetit të Prishtinës, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Fakultetit Filozofik, marrëveshje e cila ka si qëllim rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve në fushën e kërkimit shkencor, edukimit dhe kulturës.
Marrëveshja u nënshkrua nga drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli dhe nga Dekani i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës, Bekim Baliqi në mjediset e Fakultetit në Prishtinë.
I pranishëm ishte dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, akademik Muhamet Mala, prodekanët Arsim Sinani, Bardhok Bashota, studentë, profesor etj.
Kjo marrëveshje premton aktivitete, konferenca dhe seminare të përbashkëta mes dy instuticioneve përgjatë vitit 2025, e tutje.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhuroi edhe 70 tituj librash të autorëve bashkëkohorë shqiptarë për Bibliotekën e Fakuktetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ky akt u nënshkrua në vigjilje të 65 vjetorit të njësisë më të vjetër akademike, Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.