Thellohet bilanci i tragjedisë, shkon në 20 numri i viktimave
Të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe mbi 600 janë lënduar nga disa tërmete të fuqishme që kanë goditur Shqipërinë.
Në mesin e viktimave, janë edhe dy qytetarë nga Kosova, vëllezër nga Komuna e Gjilanit.
Deri tani raportohet për disa pallate të shembura në qytetin e Durrësit dhe fshatin Thumanë dhe dhjetëra familje kanë mbetur nën rrënoja, ndërsa qytetarët dhe ekipet e shpëtimit po tentojnë të ndihmojnë banorët e bllokuar.
Tërmeti i parë i fuqishëm i magnitudës 6.3 goditi Shqipërinë rreth orës 03:50 të ditës së martë dhe kishte epiqendrën në Detin Adriatik, 40 km larg kryeqytetit, Tiranës dhe 10 km në veri të Durrësit. Lëkundje të tjera më të lehta janë ndjerë pas tij. Një tjetër tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 7:10 me magnitudë 5.4.