
Themelet e Gjykatës Speciale të ndertuara në Beograd me dëshmitarë të shitur
Shkruan: Astrit Gashi
Historia e një kombi është më shumë se një rrëfim heroizmi dhe sakrifice. Ajo është gjithashtu një dëshmi e tradhtive dhe heshtjeve që, për interesa të huaja, kanë lejuar manipulimin dhe përmbysjen e së vërtetës. Kosova, një vend që lindi nga sakrifica dhe përballja me një makineri shtypëse shekullore, sot është duke u përballur me një tjetër rrezik të madh atë të deformimit të historisë, i cili është orkestruar nga ata që dikur ishin pjesë e sistemit shtypës dhe që për interesa të ngushta, pranuan të bëhen vegla të tij.
Gjykata Speciale, e inicuar nga Serbia dhe Rusia, u bë realitet për shkak të ndërhyrjes së faktorëve ndërkombëtarë, por edhe për shkak të pranimit nga vetë shqiptarët që, për përfitime të vogla, ishin të gatshëm të luanin lojën e armiqve të tyre. Në errësirën e korridoreve të UNMIK-ut, u dëshmua kundër njëri-tjetrit, jo për të kërkuar të vërtetën, por për të ndërtuar një narrativë që do ta njolloste luftën për liri. Sot, disa nga ata që dikur e përdorën drejtësinë si një mjet për përfitime personale, ëndërrojnë të shfaqen si personazhe në ekran, duke vazhduar maskaradën e tyre.
Nuk është tradhti vetëm kur armiku është përballë nesh. Tradhtia është gjithashtu kur miku hesht kur duhet të flasë, kur lideri shet të ardhmen për interesa të çastit dhe kur më të mirët e kombit dënohen, ndërsa ata që kanë qenë pjesë e mekanizmave shtypës të Millosheviqit, përfitonin nga pushteti i ri. Ky është një fali i pafalshëm që e shohim çdo ditë në veprim.
Liria është shumë më tepër se një status i njohur ndërkombëtarisht. Ajo është një ndërgjegje kombëtare, një përgjegjësi për të mbrojtur vlerat dhe të vërtetën historike. Liria kërkon vigjilencë dhe, mbi të gjitha, kërkon që kombi të mos lejojë që historia e atyre që luftuan për të arritur lirinë të shkruhet nga ata që i tradhtuan. Nëse sot heshtim, nesër do të zgjohemi në një Kosovë ku ata që luftuan për të ardhmen do të përbuzën, ndërsa ata që shiten për interesa personale do të diktojnë narrativën historike.
Një nga elementët më të dhimbshëm të kësaj tragjedie është se disa nga dëshmitarët që ndihmuan në fabrikimin e akuzave dhe krijimin e kësaj gjykate, tani kanë gjetur strehë në Evropë, duke krijuar “parajsën” e tyre me mbështetje nga Beogradi. Ata që dikur dëshmuan kundër luftës për liri, tani mbrojnë “mëzatin” e tyre, duke bërë pjesë në një rrjet të fshehtë që është ende në shërbim të interesave që bien ndesh me aspiratat e Kosovës.
Kjo “parajsë”, e ndërtuar mbi kurriz të Kosovës, është një dëshmi e tradhtisë së dyfishtë. Ata që dikur ndihmuan në ndarjen e kombit tani jetojnë në siguri dhe luks, ndërsa ata që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës, përballen me padrejtësi dhe pasojat e një sistemi që i ka tradhtuar. Ky është një paralajmërim i qartë se, nëse nuk mbrojmë të vërtetën e luftës për liri, nesër do të zgjohemi në një Kosovë ku ata që sakrifikuan do të jenë të përbuzur, ndërsa ata që shisnin dhe tradhtuan kombet do të shkruajnë historinë.
Kombi shqiptar ka ardhur deri këtu me një sakrificë të jashtëzakonshme. Liria është e fituar me gjak, por është gjithashtu një angazhim i përhershëm për të mbrojtur të vërtetën dhe për të mos lejuar që historia të deformohet nga ata që i shërbyen pushtetit dhe interesave të huaja. Një komb që nuk mbron historinë e tij është i destinuar të jetojë një të ardhme të shkruar nga armiqtë e tij. Përsëri, liria është më shumë se një status politik ajo është një përgjegjësi për të mbrojtur vlerat dhe të drejtat e atyre që dhanë gjithçka për të ndihmuar këtë komb të shikojë dritën e lirisë. Nuk mund të lejojmë që të shkruhen faqe të rreme mbi sakrificat tona, duke i dhënë mundësi tradhtarëve të mbrohen dhe të udhëheqin një vend që pagoi çmimin më të lartë për të arritur lirinë.