Themelimi i shtetit të Kosovës është një histori e lavdishme
Shkruan: Sali Bislimi
- Kosovë martire, gëzuar 14-vjetorin e pavarësisë!
Kosova dardane ngadalë por sigurt po e rrit shtatin e njomë ndonëse të plagosur!
Sot mbush 14 vite nga dita kur Kuvendi i Kosovës përmes presidentit Thaçi shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Ishte kjo ditë e cila përmbylli një cikel të shekujve të përgjakshëm, të sakrificave titanike për mbijetesë, identitet, sovranitet, barazi, liri dhe pavarësi!
Ballafaqimi i Kosovës me Serbinë okupatore daton që nga shkëputja e zinxhirëve të robërisë dhe sundimit të egër otoman, të cilën gjendje e shfrytëzojnë serbët e Karpateve, për të zaptuar tokat e Dardanisë së lashtë ilirike, duke bërë gjenocid, krime dhe vrasje barbare!
Këtij okupimi serbomadh i erdhi fundi në vitet e ‘90-ta, me angazhimin e forcave politike në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, e këtë rrugëtim të përgjakshëm biblik e kurorëzoj me fitore martirizimi heroik i popullit të Kosovës, lufta epike, e drejtë dhe çlirimtare e UÇK-së, nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë dhe intervenimi i NATO-s në partneritet me SHBA dhe BE!
Themelimi i shtetit të Kosovës është një histori e lavdishme dhe shpresojmë se lidershipi aktual i Republikës së Kosovës do të punojë me vetëdije dhe ndërgjegje shtetndërtuese, të forcojë partneritetin me SHBA, NATO dhe Europën, të lë anash revanshin dhe interesat politike, partiake, klanore dhe nepotiste!
Kosova e meriton një lidership të përgjegjshëm, në mbrojtje të Kushtetutës, shtetit ligjor, barazisë etnike dhe fetare, lirisë së shprehjes dhe mediave të lira, progres ekonomik, partneritet dhe integrim euroatlantik, hapje të vendeve të reja të punës, stabililet të çmimeve, të ruajë laicitetin dhe sekularizmin kushtetues, vlerat europerëndimore dhe të luftohet çdo formë e diskreditimit, padrejtësisë, kapjes së shtetit, krimit dhe korrupsionit!
Kosovës nuk i mjafton vetëm pavarësia nëse ajo nuk është e stolisur me demokraci, barazi, drejtësi, respektim të të drejtave njerëzore dhe harmoni e tolerancë qytetare!
Gëzuar të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, gjithë shqiptarëve në vend, në trojet etnike e kudo në diasporë!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe miqtë tanë!
(Autori është drejtor ekzekutiv i OJQ “Zëri Perëndimor i Kosovës”)