Themelohet Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane
Është themeluar sot Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK). Kryesuesi i bordit ekzekutiv të këtij instituti, Taulant Kryeziu ka thënë për “Epokën e re” se EPIK është një organizatë e pavarur dhe e specializuar në fushën e integrimit evropian.
Kryeziu ka deklaruar se përmes EPIK do të kontribuojnë sado pak në përafrimin e vlerave evropiane me qytetarët dhe institucionet e Kosovës.
Sipas tij, ky institut do të shërbejë si adresë për mediet, institucionet dhe të gjitha palët e interesuara për çështjet që lidhen me procesin e integrimit të Kosovës në BE. “Ne kemi krijuar institutin EPIK, si një kontribut modest për procesin e integrimit Evropian. Ne do t’i zbatojmë politikat publike në bashkëpunim me institucionet dhe partnerët ndërkombëtar, por do të mbajmë pushtetin përgjegjës për veprimet e tij – gjithnjë duke besuar në një Kosovë më të mirë Evropiane”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai ka treguar se Demush Shasha do të jetë drejtor ekzekutiv i këtij instituti.
/Epoka e re/