Themelohet Komisioni Hetimor për rezervat shtetërore
Kuvendi i Kosovës ka votuar për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore.
Në favor të këtij komisioni kanë votuar 69 deputetë.
“75 deputetë kanë marrë pjesë në votim, për 69 deputetë, kundër një dhe 6 abstenime. Konstatoj që Kuvendi miratoi formimin e Komisionit”, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj ka votuar kundër, ndërsa gjashtë të tjerë kanë abstenuar, ndër ta Dimal Basha, Mirsad Shkreta dhe Vendelis Lahu.
Drejtues i këtij komisioni është caktuar deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ndërsa zëvendëskryeseuese është caktuar deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku
Në këtë komision, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë pesë anëtarë, PDK-ja dhe LDK-ja nga dy, kurse AAK-ja dhe grupet joshumicë me nga një përfaqësues.
Puna e Komisionit do të jetë lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla. /EO