Themelohet Komisioni për hartimin e Projektligjit për Qeverinë
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së martës ka marrë vendim për themelimin e Komisionit për hartimin e Projektligjit për Qeverinë.
Duke e vlerësuar të rëndësishëm miratimin e këtij projektligji, kryeministri Haradinaj, ka thënë se me këtë vendim dërgojmë një porosi të mirë te BE-ja, se gjendja e Qeverisë dhe mënyra e ndërtimit të qeverisë nuk është eksperiment i pakufi.
Me këtë rast, kryeministri ka theksuar se në një të ardhme të caktuar dëshirojmë të jemi të definuar se çka është qeveria dhe të jemi një shembull i mirë i qeverisjes dhe i qeverive.
“Qeveria është kjo që është dhe unë mendoj se është funksionale, po i kryen punët e veta, mirëpo si qeveri e vendit dhe si vend që po aspirojmë të bëhemi anëtar i BE-së, Ligji për Qeverinë është i nevojshëm, një ligj i cili do të definonte numrin e resorëve, numrin e ministrive, numrin e gjithë përgjegjësve, përfshirë zëvendëskryeministrat dhe zëvendësministrat. Ky është një proces i cili i takon Qeverisë ta bëjë. Unë e di se një pjesë e punës është bërë në të kaluarën”, ka deklaruar Haradinaj.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj ka thënë se në një moment të duhur Qeveria do ta kalojë këtë ligj në Kuvend në mënyrë që në të ardhmen kur të formohet Qeveria e ardhshme, të ketë një kornizë të qartë ligjore, e cila sipas tij i jep legjitimitet vendimeve dhe i bënë ato jo temë debati të vazhdueshëm, qoftë për shkak të madhësisë, qoftë për shkak të temave të tjera, pra e definon çka është Qeveria e Kosovës, nga kush përbëhet dhe më tutje.
/Epoka e re/