Themelohet Qendra “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur”
Më 30 qershor 2019, në Bernë të Zvicrës, u themelua Qendra “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur”.
Kjo qendër ka për qëllim të shndërrohet në rrjet të organizuar intelektualësh dhe veprimtarësh, të cilët angazhohen vullnetarisht për informimin e drejtë dhe ndriçimin e plotë të gjenocidit në Kosovë dhe të këmbëngulin në domosdoshmërinë e ngadhënjimit të drejtësisë.
Në takimin e 30 qershorit u miratua logoja e qendrës, ku katër petalet e lulëkuqes paraqesin katër format e veprimeve të gjenocidit që u zbatuan në Kosovë: vrasjet, dhunimet seksuale, spastrimi etnik dhe shkatërrimi i objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar. Ndërsa në vend të kokrrave të zeza të lulëkuqes, në logo janë prezantuar figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash për të përfshirë të gjitha kategoritë e shqiptarëve që ishin shndërruar në objekt shkatërrimi nga politika e gjenocidit të Serbisë.
Nismëtarët e themelimit të kësaj qendre vendosën t’ia besojnë udhëheqjen e saj politologut Bardhyl Mahmuti.
“Ftojmë të gjithë ata të cilët janë të interesuar që vullnetarisht të ndihmojnë për ndriçimin e gjenocidit në Kosovë, kudo qofshin në botë, t’i bashkëngjiten qendrës “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur” dhe të japin kontributin e tyre për ta bërë të njohur në çdo cep të globit tragjedinë që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës. Bernë, më 30 qershor 2019”, është thënë në njoftimin e kësaj qendre.
DEKLARATË:
Gjatë luftës së viteve 1998-1999, Kosova u shndërrua në “Teatër me dyer të mbyllura” ku shteti serb vuri në skenë tragjedinë shqiptare, ndau rolet e aktorëve, dirigjoi çdo veprim në operacionet luftarake të ndërmarra me qëllim shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të shqiptarëve dhe në fund rrënoi skenografinë ku u krye gjenocidi.
Megjithatë krimet e tmerrshme të gjenocidit dhe tragjedia e shqiptarëve të Kosovës nuk mundi të mbahej e fshehur. Ndërhyrja e shteteve demokratike perëndimore i dha fund barbarisë serbe dhe mundësoi të dilnin në shesh vrasjet e mbi dhjetë mijë shqiptarëve, dhunimet seksuale të mbi njëzet mijë femrave shqiptare, spastrimi etnik i Kosovës me dëbimin e shumicës dërmuese të shqiptarëve dhe asgjësimin e dokumenteve të identifikimit, shkatërrimi i 100589 shtëpive, i 88101 objekteve përcjellëse, i 358 shkollave, i 30 shtëpive kulturore, i monumenteve historike, i 93 bibliotekave, i 123 institucioneve shëndetësore dhe i 220 objekteve të kultit fetar (xhami, teqe, tyrbe dhe kisha katolike)…
20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1600 personave, gjurmët e të cilëve u zhdukën nga forcat serbe.
Gjenocidi në Kosovë është një plagë e hapur që kërkon trajtim të drejtë!
Mohimi i gjenocidit paraqet fyerje të rëndë ndaj viktimave, ndaj familjarëve të tyre dhe kombit ndaj të cilit është kryer gjenocidi.
Ballkani Perëndimor ka nevojë për paqe, por ardhmëria paqësore nuk mund të ndërtohet mbi gënjeshtra dhe mohim të krimeve. Mohimi i gjenocidit minon ndërtimin e paqes së qëndrueshme!
Njohja, pranimi dhe dënimi i gjenocidit në Kosovë ndihmojnë në shërimin e plagëve të hapura dhe mundësojnë që një ditë të bëhen realitet premtimet e shpeshta për “KURRË MË GJENOCID”!
“Qendra GJENOCIDI NË KOSOVË-PLAGË E HAPUR” synon të shndërrohet në rrjet të organizuar intelektualësh dhe veprimtarësh, të cilët angazhohen vullnetarisht për informimin e drejtë dhe ndriçimin e plotë të gjenocidit në Kosovë dhe këmbëngulin në domosdoshmërinë e ngadhënjimit të drejtësisë.
Jemi të bindur se ndriçimi i plotë i kësaj tragjedie njerëzore kontribuon në parandalimin e gjenocideve të reja kudo qoftë në botë.
Bernë, më 30 qershor 2019