Themelohet Shoqata Shqiptaro Amerikane “Rozafa” Shkodra
Nga Qemal Zylo
Diaspora Shqiptaro Amerikane u pasurua dhe më shumë me krijimin e shoqatës më të re Shqiptaro Amerikane “Rozafa”.
Sot në mjediset e Willow Klub me pronar DJ Fati në Staten Island u krijua Shoqata Shqiptaro Amerikane “Rozafa” Shkodra.
Natyrisht sa dëgjon këtë emërtim të kësaj shoqate në mendje të vijnë emrat e mëdhenj që ka nxjerrë qyteti i lavdishëm, plot kulturë, Shkodra dhe ja disa prej tyre: Marin Barleti, Marin Beçikemi, Kolë Idromeno, At Gjergj Fisha, Ndre Mjeda, teolog, Mikel Kodheli, Luigj Gurakuqi, Karl Gurakuqi, Mikel Koliqi, Zef Pllumi, Millosh Gjergj Nikolla, Simon Gjoni, Cesk Zadeja, Tinka Kurti, Zef Jubani, Filip Shiroka etj.
Po ashtu dhe legjenda aq e njohur e Rozafës, kështjella ku është murrosur Rozafa qëndron hijerëndë mbi Bunën e gjerë dhe mbi qytetin e Shkodrës, ku bën krenar çdo shqiptar dhe me endje duan ta vizitojnë, njeri prej tyre isha unë verën e kaluar.
Shkodra është një prej qyteteve më të vjetra të Shqipërisë, me një histori banimi mijëravjeçare në qytet dhe krahinë.
Founder, nismëtar i shoqatës Shqiptaro Amerikane “Rozafa” është aktivisti i shquar, presidenti i organizatës “Rrënjët Shqiptare”, ish kandidat për këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut Marko Kepi me origjinë nga Shkodra.
Këtë ditë të shënuar të kësaj organizate me një program të pasur e moderoi gazetarja e mirënjohur Kozeta Turishta. Elekuenca dhe lirshmëria e saj në të folur natyrshëm i bëjnë dhe më tërheqëse tubimet ku mblidhen shqiptarët. Pasi falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët për krijimin e kësaj shoqate, ajo tha se Shkodra ka shumë potencial intelektual për t’i dhënë diasporës dhe kombit.
Themelimin e Shoqatës Shqiptaro Amerikane Rozafa e përshëndeti kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia nëpërmjet një videomesazhi për këtë dite të shënuar.
Gazetarja Turishta prezantoi gjithë Bordin të cilët folën para pjesëmarrësve duke u ndjerë shumë të përgjegjshëm për këtë nismë tejet të rëndësishme.
Vlen të theksohet se Bordi kishte një përzgjedhje shumë cilësore të përbërë nga aktivistë të njohur të komunitetit, si intelektual më në zë dhe artistë të mirënjohur.
Më konkretisht Bordi i zgjedhur përbëhet nga këta veta:
Eddie Drishti – Kryetar, Gjilberta Lucaj Cohen, Zëvendëse Presidente, Ilsi Ademi Sekretar, Metin Timi Mlloja Arkëtar, Kozeta Turishta Bordi Këhillimor, Myzafere Alija Bordi Këshillimor, Bujar Ademovi Bordi Këshillimor, Eno Kepi Përfaqësues. Shkodër.
Si media marrim pjesë në shumë aktivitete, por jo vetëm që e pranova me kënaqësi ftesën, por dhe pashë nga afër një organizim profesional dhe premtues për të ardhmen.
Shpreh bindjen nga bisedat që pata me kryetarin Eddie Drishti officer policie për 23 vjet në New Jersey, Amerike dhe familja e tij e persekutuar nga regjimi komunist pohoi se ai ka vizion dhe jam i sigurt se shoqata do të eci përpara bashkë me Bordin e përkushtuar.
Në emër të Bordit të TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” ju afrojmë mbështetje dhe bashkëpunim të frytshëm.
Në këtë tubim pati dhe një program të bukur artistik. Këngëtari Ilsi Ademi këndoi këngë të ndryshme të shoqëruar në Cello nga artistja Gjilberta Lucaj Cohen dhe Pranvera Çobo në kitarë. Pas krijimit të Shoqatës Shqiptaro Amerikane të pranishmit të gëzuar trokëllitën gotat me njeri tjetrin dhe i uruan Bordit të Shoqatës jetë të gjatë!
TV “Alba Life” së shpejti do të sjellë kronikën e përgatitur dhe do ta transmetojë në kanalet televizive.
21 Janar, 2023
Staten Island, New York