Themeluesi i FTX arrestohet në Bahama në bazë të akuzave amerikane

13 dhjetor 2022 | 08:54

Policia në Bahama ka arrestuar Sam Bankman-Fried, themelues i kompanisë për këmbimin e kriptovalutave FTX, tha prokurori i përgjithshëm i këtij shteti.

Ai pritet që të dalë të martën para një gjykate në kryeqytetin e këtij shteti të Karaibeve, Nasau.

Policia tha se Bankman-Fried u arrestua për “shkelje financiare” kundër ligjeve në Shtetet e Bashkuara dhe Bahama, raporton Rel.

Muajin e kaluar FTX shpalli falimentimin në SHBA, duke pamundësuar që shumë përdorues të kësaj kompanie të tërheqin fondet e tyre.

Sipas një dosjeje gjyqësore të paraqitur në gjykatë muajin e kaluar, kompania FTX u detyrohej 50 kreditorëve të saj më të mëdhenj afër 3.1 miliardë dollarë.

Është e paqartë se si personat që kanë fonde në këtë kompani do të mund t’i marrin ato në fund të procedurave të falimentimit. Megjithatë, shumë ekspertë kanë paralajmëruar se kreditorët do të mund të marrin një pjesë shumë të vogël të shumës së depozituar.

FTX u ka lejuar klientëve që të këmbenin para normale për kriptovaluta, sikurse Bitcoin.

Bankman-Fried më herët është parë si një version i ri i investitorit legjendar amerikan, Warren Buffett, dhe deri në fund të tetorit ai kishte pasuri neto më shumë se 15 miliardë dollarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përveç luftës së Rusisë në Ukrainë, BE-ja sërish shqyrtoi edhe…