Themeluesi i PayPal paralajmëron se Bitcoin mund të jetë një ‘armë’ kineze kundër SHBA-së
Peter Thiel, një nga kapitalistët më të spikatur të Silicon Valley, sugjeroi se Bitcoin mund të përbëjë një kërcënim për SHBA-në gjatë një seminari virtual të mbajtur nga Fondacioni Richard Nixon këtë javë.
“Edhe pse unë jam një person maksimalist pro-kriptos, pro-Bitcoin, unë pyes veten nëse në këtë pikë Bitcoin duhet gjithashtu të mendohet pjesërisht si një armë financiare kineze kundër SHBA-së”, tha themeluesi i PayPal.
Thiel, një anëtar i bordit në “Facebook” dhe themelues i Palantir Technologies, po zgjeronte diskutimin e tij rreth Kinës duke mos pëlqyer që dollari amerikan është monedha rezervë e preferuar në botë.
Ai tha nëse Kina ka një pozicion të gjatë në Bitcoin, atëherë SHBA duhet të kërkojë përgjigje mbi qëndrimin e saj nga një perspektivë gjeopolitike.
Ekonomia aziatike së fundmi krijoi monedhën e saj digjitale – një juan kibernetik që kontrollohet nga banka e saj qendrore. Thiel i referohej asaj si një “pajisje matëse totalitare”, sesa një kriptomonedhë e vërtetë.
Thiel vazhdon: “Bitcoin rrezikon paratë dhe veçanërisht dollarin amerikan. Dhe Kina dëshiron të bëjë gjithçka që është e mundur për të dobësuar dollarin amerikan”.
Miliarderi i teknologjisë, i cili mbështeste publikisht fushatën presidenciale të ish-presidentit Donald Trump 2016, u bashkua me ish-sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo dhe ish-Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien në seminar. Diskutimi i tyre, i organizuar nga shefi ekzekutiv i Fondacionit Nixon, u përqendrua kryesisht në çështje të mëdha të teknologjisë dhe marrëdhëniet SHBA-Kinë.
Thiel, i njohur për pikëpamjet e tij të diskutueshme, gjithashtu kritikoi Google dhe Apple për bashkëpunimin shumë të ngushtë me Kinën. /Telegrafi/